6 Prill 2019

Avokati I Popullit Inkurajon Angazhimin E Shoqërisë Civile, Publikut Dhe Medias Në Proceset Përzgjedhëse Në Drejtësi


AVOKATI I POPULLIT INKURAJON ANGAZHIMIN E SHOQËRISË CIVILE, PUBLIKUT DHE MEDIAS NË PROCESET PËRZGJEDHËSE NË DREJTËSI

Avokati i Popullit e inkurajon procesin e nisur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për marrjen e opinioneve në lidhje me kandidaturat për anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në ligjin nr.115/2016 dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 7/b pika 2, etj., parashikohet se institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë KED.

Institucioni i Avokatit të Popullit beson se konsultimet dhe dëgjesa e zërit të aktorëve të shoqërisë civile e institucioneve të tjera mundet vetëm ta pasurojë këtë proces e t’i japë atij besueshmërinë e gjithëpërfshirjen për të cilat e gjithë reforma kombëtare në sistemin e drejtësisë ka aq shumë nevojë.

Fakti që ky proces i hapur për pranimin e opinioneve të palëve të paanshme është një detyrim ligjor dëshmon për rëndësinë e tij ndaj Avokati i Popullit e gjen me vend të potencojë meritën e KED në trajtimin e këtij procesi me seriozitetin dhe angazhimin e duhur.

Nga ana tjetër Avokati i Popullit i nxit dhe u bën thirrje gjithë organizatave të shoqërisë civile të angazhuara në fushën e të drejtave të njeriut, si edhe median e publikun, që të mos ngurrojnë për t’u përfshirë në këtë proces kaq të rëndësishëm për drejtësinë në vendin tonë e për të ofruar kontributin e tyre për të përcjellë të dhëna dhe informacione në lidhje me kandidatët.

Në vëmëndje: Informacionet mund të dërgohen në adresën e e-mail-it info@ked.gov.al