28 Shtator 2022

Avokati I Popullit Kërkon Zbatimin E Rekomandimit Të Kpt Për Të Burgosurit E Regjimit “41 Bis”


AVOKATI I POPULLIT KËRKON ZBATIMIN E REKOMANDIMIT TË KPT PËR TË BURGOSURIT E REGJIMIT “41 BIS”

Raporti i Avokatit të Popullit “Mbi zbatimin e rekomandimeve të lëna për Shqipërinë nga Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor dhe Degradues (KPT)” drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, adreson disa nga çështjet më problematike në lidhje me sistemin penitenciar në Shqipëri.

Ndër to, vlen të veçohet rekomandimi për të mos kufizuar në këtë masë kontaktet me botën e jashtme në një nivel të paarsyeshëm për personat e mbajtur në regjimin 41 bis.

Sipas Rekomandimit të KPT-së, vërehet se e drejta për takime dhe kontakte telefonike për këta persona aktualisht është shumë kufizuese dhe duhet të rritet ndjeshëm.

Në lidhje me këto problematika, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë një përgjigje shteruese.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka kryer inspektime dhe ka zhvilluar korrespondencë me këto institucione për të verifikuar shkallën e reflektimit ndaj këtij rekomandimi.

Avokati i Popullit i ka adresuar edhe Ministrisë së Drejtësisë një rekomandim lidhur me këtë çështje, por ndërkohë konstaton se rekomandimi i KPT-së nuk është zbatuar ende.