19 Shtator 2022

Avokati I Popullit Nis Hetim Mbi Pretendimin E Shtetasit Turk Për Refuzim Të Kërkesës Për Azil


AVOKATI I POPULLIT NIS HETIM MBI PRETENDIMIN E SHTETASIT TURK PËR REFUZIM TË KËRKESËS PËR AZIL

Institucioni i Avokatit të Popullit është njohur përmes medias me rastin e shtetasit turk Ahmet Olur, i prezantuar si gazetar, nga ana e të cilit pretendohet se ndërsa ka kërkuar azil politik në Republikën e Shqipërisë, kjo kërkesë i është refuzuar.

Sipas deklarateve në media sapo ky shtetas ka mbërritur në tokën shqiptare në datën 17.09.2022 në aeroportin e Rinasit, ai është paraqitur në komisariatin e policisë së Rinasit dhe ka dorëzuar kërkesën e tij për azil politik. Raportimet theksojnë se, shtetasi turk ka deklaruar në Polici se, ai përndiqet dhe diskriminohet në vendin e tij për shkak të bindjeve politike, por kjo kërkesë nuk i është pranuar dhe më pas ky shtetas është rikthyer në vendin e origjinës duke iu refuzuar hyrja në Republikën e Shqipërisë.

Avokati i Popullit ka ngitur menjëherë ditën e diel grupin e punës, me qëllim verifikimin e situatës në vend dhe administrimin e dokumentacionit për shtetasin turk Ahmet Olur.

Sipas autoriteteve të Policisë, shtetasit në fjalë i është refuzuar hyrja në Republikën e Shqipërisë por ai nuk ka paraqitur kërkesë për azil, ndërsa refuzimi i hyrjes rezulton të jetë bërë për disa shkaqe, një prej të cilave edhe “kërcënimi për rendin publik dhe sigurinë kombëtare ose në marrdhëniet ndërkombëtare”.

Institucioni i Avokatit të Popullit po shqyrton një sërë çështjesh që lidhen me rastin e këtij shtetasi të huaj, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me faktin nëse:

a) këtij qytetari i janë garantuar apo jo të drejtat sipas legjislacionit shqiptar;

b) personi ka ushtruar apo jo të drejtën për kërkim azili në Republikën e Shqipërisë;

c) refuzimi për të hyrë është bërë në përputhje apo jo me parashikimet ligjore.

Ndërkohë Avokati i Popullit është aktualisht në gjendje të konfirmojë faktin se shtetasi turk nuk ka pasur qasje në avokat.