10 Dhjetor 2021

Avokati I Popullit Shënon Ditën Ndërkombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut


AVOKATI I POPULLIT SHËNON DITËN NDËRKOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Avokati i Popullit uron me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe bën thirrje që koha për rritjen e standardit të respektimit të këtyre të drejtave, është tani.

Tashmë prej 3 dekadash, Shqipëria ka kryer një kapërcim të madh në drejtim të sigurimit ligjor të një numri të drejtash themelore të njeriut, mirëpo prej atëherë, përparimi prej këtij stadi ka mbetur i pamjaftueshëm.

Të respektosh të drejtat e njeriut do të thotë të jesh në një itinerar të përhershëm zhvillimi e përmirësimi e nëse 30 vjet më parë kalimi nga mungesa e këtyre të drejtave në mbërritjen e njëkohëshme të tyre mund të dukej si një progres që kënaqte pritshmëritë e qytetarëve, sot këto pritshmëri të evoluara me kohën, nuk mund të mjaftojnë.

Mendësia e instrumenteve ligjvënëse e ligjzbatuese në Shqipëri ka nevojë të pësojë një shndërrim cilësor me qëllim kthimin e të drejtave të njeriut në synim permanent përgjatë propozimit të çdo nisme të re e zbatimit të çdo nisme ekzistuese.

Të drejtat e njeriut në një vend që vuan padrejtësi të shumëfishta shoqërore meritojnë të jenë arma me anë të të cilave duhet të luftohen këto padrejtësi.

E drejta për barazi gjinore e shoqërore, drejtësi, strehim, arsim cilësor, jetë dinjitoze, shëndetësi me standarde e punë shpërblyese nuk mund të shihen të shkëputura nga konteksti shoqëror dhe politik i vendit andaj institucionet e të drejtave të njeriut e të gjithë veprimtarët lypset të shtojnë përpjekjet për t’i shndërruar këto kauza në veprime me rezultate konkrete.

Beteja për të drejtat e njeriut vazhdon!