19 Nëntor 2021

Avokatja E Popullit Zhvillon Takim Pune Me Inspektorin E Lartë Të Drejtësisë


AVOKATJA E POPULLIT ZHVILLON TAKIM PUNE ME INSPEKTORIN E LARTË TË DREJTËSISË

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca zhvilloi sot një takim pune me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani. Dy drejtuesit e lartë biseduan mbi ecurinë e bashkëpunimit mes institucioneve, lidhur me ankesat e qytetarëve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Z. Metani u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi me institucionin e Avokatit të Popullit dhe shprehu vullnetin për forcimin e tij, në funksion të detyrave respektive që u ngarkon ligji, me vëmendje të posaçme në balancimin e parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë, respektimit të të drejtave të individëve, parimit të ligjshmërisë, gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, si dhe atij të ndarjes së pushteteve.

Avokatja e Popullit znj. Ballanca vlerësoi rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të garantuar zbatimin korrekt të ligjit nga të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë. Ajo vlerësoi edhe transparencën e komunikimit me qytetarët e publikun mbi punën e ILD-së, si dhe efektivitetin në trajtimin e një numri të konsiderueshëm ankesash ndaj magjistratëve, megjithë vështirësitë infrastrukturore e në burime njerëzore.

“Nevoja e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë për të patur kapacitete të përshtatshme për të ushtruar me sukses detyrat e tyre, ka qenë pjesë e rekomandimeve të Avokatit të Popullit në raportet vjetore që i paraqiten kuvendit”, u shpreh znj.Ballanca.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Avokatja e Popullit bashkëndanë mendimin se kthimi i besimit të publikut tek drejtësia duhet të jetë prioritet i cdo institucioni në vend.