14 Tetor 2021

Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Forumin Ndërkombëtar Për Mbrojtjen E Fëmijëve Nga Dhuna Dhe Shfrytëzimi Seksual


AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESË NË FORUMIN NDËRKOMBËTAR PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE NGA DHUNA DHE SHFRYTËZIMI SEKSUAL

Avokatja e Popullit mori pjesë sot në një Forum Ndërkombëtar të organizuar nga organizatat CRCA/ECPAT mbi mbrojtjen e fëmijëve dha dhuna dhe shfrytëzimi seksual.

Në forum u prezantuan edhe gjetjet e një studimi të kryer nga këto organizata mbi shfrytëzimin seksual në Shqipëri dhe rolin e modelit Barnhaus për këshillimin dhe suportin ndaj viktimave të shfrytëzimit seksual.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, foli në panelin me temë "Zërat e të mbijetuarve". Në fjalën e saj ndër të tjera ajo u shpreh:

"Arsyeja pse jemi sot këtu, lidhet për mendimin tim, me nevojën për solidaritet që shoqëria jonë e ka të domosdoshme.

Solidariteti është ajo fije që na lidh bashkë e na shndërron në një mburojë të pakapërcyeshme për dukuri të shëmtuara siç është edhe ajo e abuzimit seksual me të miturit.

Solidariteti është gjithashtu dora jonë e shtrirë drejt atyre që vuajnë vrazhdësinë përballë së cilës të vë ndonjëherë jeta.

Solidariteti pra, është shprehja e së njerëzishmes ndër ne njerëzit.

Kemi nevojë sot për solidaritet sepse kjo është një nevojë për të rigjetur shprehjen e së njerëzishmes, humanes në shoqërinë tonë.

Duke dëgjuar gjetjet e këtij raporti, jam sot më e bindur se kurrë për këtë të vërtetë.

Dhe realisht dua sot të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për përpjekjet e organizatave, sikundër është edhe CRCA, për të mos ndenjur duarkryq por për të kërkuar me ngulm alternativa të reja, rrugë të pashkelura që çojnë drejt një qëllimi madhor, dhënien e një fytyre më humane shoqërisë sonë, përmes ndihmës solidare, sikundër është edhe modeli Barnhaus që po sugjerohet sot këtu.

Avokati i Popullit, institucion të cilin e drejtoj tashmë prej katër vjetësh u kushton një vëmendje thelbësore çështjeve që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Një prej seksioneve konstituente të Avokatit të Popullit është pikërisht ai për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijës.

Për të mos e shndërruar këtë panel në një ekspozitë arritjesh dhe lëvdatash dua vetëm të nënvizoj se posaçërisht çështjet që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve, janë ndër ato çështje me ndjeshmëri të lartë të cilat gjenerojnë një angazhim të menjëhershëm, gati automatik të këtij seksioni dhe të Avokatit të Popullit, thuajse gjithmonë me iniciativë, pa pritur që një ankesë të depozitohet formalisht pranë zyrave tona.

Kjo sepse për ne, abuzimi i çdo forme me fëmijët, e sidomos ai seksual është një ndër format më të shëmtuara të shkeljes së të drejtave të njeriut e sigurisht një vepër penale që meriton jo thjesht dënim penal shembullor por edhe dënim moral mbarë-shoqëror.

Ne patëm një reagim të menjëhershëm më 2019, në rastin skandaloz të Kavajës, dhe Seksioni ynë i Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijës kreu një investigim të hollësishëm në përfundim të të cilit Avokati i Popullit doli me një rekomandim të detajuar drejtuar Ministrive si ajo e Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë, e Drejtësisë, e Rendit, e Arsimit dhe institucioneve të tjera si AMA, Agjencisë Shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si dhe pushtetit vendor.

Avokati i Popullit vazhdimisht ka kërkuar

Marrjen e masave nga ministritë e linjës për informimin e të gjitha strukturave përgjegjëse për ushtrimin e detyrimeve dhe përgjegjësive në zbatim e legjislacionit të mbrojtjes së fëmijës dhe Kodit të Drejtësisë penale për të Miturit.

Gjithashtu, në rekomandimin përkatës kërkuam marrjen e masave për forcimin e sistemit të monitorimit dhe vlerësimit të respektimit të të drejtave të fëmijëve si dhe për trajtimin më të gjerë të temës së abuzimit/dhunës seksuale në curriculat mësimore (konkretisht të lëndës së edukatës seksuale), duke kërkuar nga Ministria e Arsimit të kryente lëvizjet e duhura.

Një ndër rekomandimet tona, kishte në focus pikërisht ngritjen e shërbimit të specializuar për fëmijët e dhunuar seksualisht, që do të thotë ngritjen e një qendre të posaçme e të specializuar, konfidenciale, ku në mënyrë të dedikuar ofrohen shërbime të specializuara për këta fëmijë, nga një grup profesionistësh, si: psikolog, psikiatër, neuropediatër dhe punonjës social.

Ne kërkonim që shoqëria civile, të gjithë aktorët që punojnë me fëmijët, por edhe e gjithë shoqëria duhet të ndërgjegjësojnë dhe advokojnë, që ekzistenca e kësaj qendre nuk mund të limitohet për shkak të pamjaftueshmërisë së buxheteve, por ajo është nevojë dhe domosdoshmëri.

Gjithashtu, edhe përballë një tjetër rasti, kësaj radhe më 2020, atij të ushtrimit të dhunës seksuale ndaj një të miture 15 vjeçare në Tiranë, Avokati I Popullit sërish ka kryer nje hetim administrativ me iniciativë.

Edhe në këtë rast, në rekomandimet që iu dërguan institucioneve shtetërore është kërkuar nga Avokati i Popullit një punë më e madhe me fëmijët dhe stafin pedagogjik, në drejtim të edukimit, ndërgjegjësimit, dhe informimit të tyre, lidhur me mbrojtjen nga dhuna dhe çdo formë e saj, sidomos asaj seksuale, si dhe prmovimin e praktikave të mira pune për vendosjen e një komunikimi të sinqertë e të hapur, në mënyrë që këto çështje të mos përbëjnë më tabu.

Po ashtu u kërkua nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, monitorim në vijimësi i punës së strukturave shtetërore përgjegjëse, pjesë e sitemit të integruar të mbrojtes së fëmijës, sipas legjislacionit në fuqi dhe, për vendosjen dhe ekzekutimin e sanksioneve administrative “de facto”, në rast të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga këto struktura.

Ne duam të besojmë se rekomandimet e Avokatit të Popullit shikohen dhe shërbejnë si një udhëzues shumë I dobishëm praktik nga ana e institucioneve shtetërore që janë bashkë me ne, si dhe me shoqërinë civile në këtë përpjekje të madhe për t’i dhënë përgjigjen e duhur e për të mbyllur çdo shteg për abuzimin seksual të të miturve.

Ne nuk e kemi luksin që përballë zërave të të mbijetuarve të cilët thërrasin për ndihmë, të veprojmë me praktika konkurrente e për inat të njëri tjetrit. Ne duhet të jemi të bashkuar e bashkëpunues. Përndryshe, jemi të humbur.

Ju faleminderit".