17 Maj 2021

Avokati I Popullit Merr Pjesë Në Takimin E Përbashkët Me Rastin E Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë


AVOKATI I POPULLIT MERR PJESË NË TAKIMIN E PËRBASHKËT ME RASTIN E DITËS NDËRKOMBËTARE KUNDËR HOMOFOBISË

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë nē një aktivitet të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, transfobisë dhe bifobisë.

Aktiviteti u zhvillua online edhe me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit të Kosovës, Komisionerit Kundër Diskriminimit dhe Organizatës LGBTI+.

Në takim mori pjesë edhe Komisionerja e Seksionit të Përgjithshëm pranë Avokatit të Popullit, Vilma Shurdha.

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca i shpreh:

“Sot në ditën ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë, ne jemi mbledhur së bashku për të folur mbi të drejtat e komuntetit LGBTI në Shqipëri dhe në Kosovë.

Ky takim dhe të gjitha aktivitetet që po zhvillohen jo vetëm në Shqipëri e Kosovë por edhe në të gjitha shtetet e tjera europiane, janë një mundësi për të treguar se pavarësisht diferencave, ne jemi të gjithë të barabartë.

Duke promovuar barazinë përmes konceptit të diversitetit ne i bëjmë një apel shoqërisë shqiptare dhe publikut të gjerë që mbetet ende shumë paragjykues dhe ka ende nevojë për ndërgjegjësim për të ndryshuar dhe forcuar mbështetjen publike ndaj grupeve të marxhinalizuara.

Diversiteti është një mundësi për t’u solidarizuar me të drejtat e njeriut dhe grupeve të përjashtuara në veçanti, për të marrë më shumë informacion mbi këto çështje dhe për të festuar faktin se një shoqëri është më e lumtur dhe më e emancipuar nëse arrin të pranojë në gjirin e saj të gjithë njerëzit pavarësisht racës, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, bindjeve, etj.

Lëvizja në mbrojtje të të drejtave të personave LGBTI në Shqipëri ka pësuar një zhvillim sidomos vitet e fundit dhe veçanërisht në Tiranë.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka qenë në vijën e parë dhe në mbështetje të këtij komuniteti shumë vite më parë. Ka qenë i pari që pas përpilimit të një raporti mbi situatën e komunitetit në vend të cilin e paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë, në bazë të të cilave Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë me kërkesa konkrete për institucionet shtetërore shqiptare, për të marrë menjëherë masa konkrete në mbrojtje të të drejtave të personave me orientim të ndryshëm seksual dhe identitet gjinor, për të ofruar pa diskriminim shërbime shëndetësore dhe sociale, për të mundësuar edukim dhe punësim.

Zhvillime ka pasur, dhe kjo është e dukshme sidomos në ndërgjegjësimin e vetë shoqërisë shqiptare për të folur hapur dhe publikisht për këtë komunitet dhe të drejtat e tyre, të cilat nuk janë tjetër veçse të drejta të njeriut.

Megjithëse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton të drejtat dhe liritë e çdo personi, këto komunitete ka momente që përjetojnë diskriminimin dhe intolerancën, të cilat ndeshen brenda familjeve për të vazhduar në shoqëri, në institucionet, ambjentet e punës, shkollës, e jetën publike në përgjithësi.

Vështirësitë e këtij komuniteti ndeshen në të gjitha aktivitetet jetësore njerëzore, duke filluar që nga marrëdhëniet në familje, në punë, në shoqëri, në arsim, në kulturë, në shëndetësi. Pra, në të gjitha fushat e jetës dhe në mënyrë të veçantë ajo që ne kemi konstatuar është që ka vështirësi të mëdha të të kuptuarit, të njohurive mbi komunitetin LGBTI.

Për rrjedhojë, për shkak të disa paragjykimeve ose të një kulture të prapambetur vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve apo i trajtimit jo të duhur, pre e gjuhës së urrejtjes ose të dhunës ndaj tyre.

Ende dy nisma mjaft të rëndësishme, për të cilat Avokati i Popullit u ka kërkuar ministrive përgjegjëse që të ndërrmarin: njohja e identitetit gjinor në legjislacionin e gjendjes civile në Shqipëri, apo ndryshimet në Kodin e Familjes për bashkëjetesën mes partnerëve të të njëjtit seks, nuk po miratohen.

Bëhet fjalë për mungesën e një legjislacioni të përshtatshëm të plotë lidhur me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI. Ka një numër mungesash në këtë legjislacion, të cilat ende nuk janë realizuar.

Ne do të vazhdojmë t’i nxisim këto institucione për realizimin e tyre.

Përveç përmirësimeve ligjore dhe plotësimit të tyre, do të theksoja si një faktor shumë të rëndësishëm zbatimin e ligjeve në praktikë. Nuk mundet që vetëm të hartohen ligje të mira apo në përputhje me standartet që kërkojnë konventat apo dokumentat e tjera ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar.

Ne si institucion i Avokatit të Popullit e konsiderojmë si prioritar ndërgjegjësimin e shoqërisë për nevojat dhe trajtimin e bararabartë të këtyre kategorive, sepse thyerja e mentaliteteve e tabuve bën të mundur përmbushjen e angazhimeve, politikave e programeve me korrektësi dhe sukses.

Puna e institucionit tonë në bashkëpunim me Komisionerin Kundër Diskriminimit, Këshillin e Europës dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, organizatat e shoqërisë civile, por edhe me autoritetet shtetërore përgjegjëse, do të jetë për të synuar mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të personave LGBT, edhe në fusha apo për çështje të tjera.

Mesazhi kryesor do të jetë që të gjithë ne, pavarësisht diferencave duhet të jemi të barabartë në shanse dhe mundësi, dhe duhet të kemi të drejtën e shprehjes, dashurisë, mbledhjes dhe organizimit.

Institucioni i Avokatit të Popullit, në përputhje me funksionet dhe kompetencat e parashikuara në ligj, do të jetë gjithmonë në mbështetje të kauzës dhe bashkarisht do të kërkojmë promovimin e respektimin e këtyre të drejtave, në monitorimin e zbatimit të tyre, sidomos në shërbimet e ndryshme që jep shteti shqiptar: në shëndetësi, në arsim, në punësim, në formim profesional e gjithcka tjetër”.