17 Maj 2021

Avokati I Popullit Rekomandon Ndryshimin Dhe Përmirësimin E Një Dispozite Në Vendimin E Këshillit Bashkiak Tiranë Nr. 130, Datë 15.11.2018, Për Të Garantuar Lirinë Kushtetuese Të Tubimit Të Shtetasve


AVOKATI I POPULLIT REKOMANDON NDRYSHIMIN DHE PËRMIRËSIMIN E NJË DISPOZITE NË VENDIMIN E KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË NR. 130, DATË 15.11.2018, PËR TË GARANTUAR LIRINË KUSHTETUESE TË TUBIMIT TË SHTETASVE

Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë viteve të fundit ka marrë në shqyrtim disa ankesa dhe raste të filluara me iniciativë lidhur me të drejtën/lirinë kushtetuese të tubimit të shtetasve. Gjithashtu janë ndjekur me vëmendje nëpërmjet mediave protestat e qytetarëve të organizuara në qytete të ndryshme të vendit gjatë periudhës së pandemisë dhe të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të përhapjes së infeksionit nga COVID-19.

Gjatë ndjekjes së kësaj problematike nga institucioni ynë, disa OJF në ankesat e paraqitura apo në tryezat e zhvilluara lidhur me ushtrimin e kësaj lirie kushtetuese kanë ngritur shqetësimin e tyre për pengesat që krijon neni 61 i Rregullores “Për kushtet dhe rregullat e zënies së hapësirës publike në Bashkinë e Tiranës”, miratuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë nr. 130, datë 15.11.2018 në realizimin e kësaj lirie duke qenë se sipas tij kërkohet që subjekti kërkues të jetë i pajisur me lejen përkatëse të lëshuar nga Bashkia Tiranë.

Sipas ankuesve, kjo dispozitë është bërë pengesë për ushtrimin e të drejtës/lirisë së tubimit, pasi ka patur raste kur ndonëse organi i Policisë së Shtetit është njoftuar nga subjekti organizues për zhvillimin e tubimit, ndërkohë Bashkia e Tiranës nuk e ka miratuar lejen për zhvillimin e këtij aktiviteti.

Gjithashtu prej tyre është ngritur edhe shqetësimi lidhur me afatet e përcaktuara për paraqitjen e kërkesës dhe shqyrtimit të saj nga bashkia, përpara datës së zhvillimit të aktivitetit.

Nisur nga një shqyrtim i hollësishëm i kuadrit ligjor mbi lirinë kushtetuese të tubimit të shtetasve

si dhe praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në këtë drejtim, Avokati i Popullit ka rekomanduar marrjen e masave të nevojshme për ndryshimin dhe përmirësimin e pikave përkatëse të Rregullores “Për kushtet dhe rregullat e zënies së hapësirës publike në Bashkinë e Tiranës”, miratuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë nr. 130, datë 15.11.2018 dhe hartimin e dispozitave të reja në përputhje me nenin 11 të KEDNJ, nenin 17 të Kushtetutës dhe ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”.