30 Prill 2020

Avokati I Popullit Kërkon Publikimin E Vendimeve Për Lehtësimin E Hyrjes Së Shtetasve Shqiptarë Në Pikat Kufitare


AVOKATI I POPULLIT KËRKON PUBLIKIMIN E VENDIMEVE PËR LEHTËSIMIN E HYRJES SË SHTETASVE SHQIPTARË NË PIKAT KUFITARE

Avokati i Popullit u kërkon autoriteteve që t’u japin fuqi ligjore disa vendimeve të rëndësishme për hyrjen e shtetasve shqiptarë nga jashtë kufirit, duke i publikuar këto vendime në organet zyrtare si fletorja zyrtare, etj.

Institucioni i Avokatit të Popullit në datën 16.04.2020 ka regjistruar me nismën e vet rastin e bërë publik në media në datën 15.04.2020. Sipas mediave në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë ishin të bllokuar sërish në tokën neutrale 21 shtetas shqiptarë të cilët, që në mbrëmjen e datës 14.04.2020 ishin paraqitur në tentativë për të hyrë në Shqipëri.

Departamenti i Kufirit dhe Migracionit, si pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili menaxhon fluksin e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në Pikat e Kalimit Kufitar nga/në Republikën e Shqipërisë, ka vlerësuar dhe ka marrë masat e nevojshme, për t’u siguruar që asnjë shtetas shqiptar, që për çdo lloj arsyeje në këto kohë u ndodh jashtë vendit të vet, të mos i mohohet e drejta e hyrjes në territor.

Në lidhje me Urdhrin e Përbashkët nr. 240, datë 07.04.2020, të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrit të Brendshëm, "Për vetëkarantinimin e shtetasve shqiptarë të cilët duan të futen në territorin e Republikës së Shqipërisë nga të gjitha Pikat Kufitare tokësore", i cili është një akt nënligjor normativ, konstatojmë se deri në momentin e hartimit të këtij Rekomandimi në datën 28.04.2020, ai nuk është botuar në Fletoren Zyrtare të publikuara nga QBZ, ku e fundit është ajo me nr. 76, datë 27.04.2020.

Sjellim në vëmendje se në bazë të nenit 116/3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, aktet normative të ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë brenda sferës së juridiksionit të tyre. Ndërsa në bazë të nenit 117/1 të Kushtetutës, ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave, të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare. Pra, sikurse shprehet në mënyrë të qartë kjo dispozitë kushtetuese, botimi i këtyre akteve në Fletoren Zyrtare është domosdoshmëri për marrjen e fuqisë juridike. Pavarësisht këtij detyrimi kushtetues, në fakt masat e përcaktuara nga ky akt normativ nënligjor janë zbatuar dhe po zbatohen nga strukturat shtetërore pa e marrë fuqinë juridike për shkak se akti nuk është botuar ende në Fletoren Zyrtare.

Ndërkohë kemi konstatuar se ky urdhër nuk gjendet i pasqyruar as në faqet zyrtare të këtyre institucioneve. Mos pasqyrimi i këtij akti, sjell si pasojë mungesën e aksesit të shtetasve për të marrë një informacion të plotë dhe të saktë rreth masave të marra dhe kufizimeve të bëra nga autoritetet përgjegjëse në vend.

Institucioni i Avokatit të Popullit çmon se, pavarësisht faktit të shpalljes së gjendjes së pandemisë botërore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore me VKM nr. 243, datë 24.03.2020, të cilat sjellin si pasojë kufizimin e disa të drejtave dhe lirive të qytetarëve, aksesi në informacion dhe transparenca janë shumë të rëndësishme edhe përgjatë kësaj periudhe kohore, madje marrin një rëndësi edhe më të madhe për të treguar se qëllimi i ndjekur nga ana e organeve shtetërore në ushtrimin e këtyre të drejtave është i ligjshëm e legjitim, i domosdoshëm për të adresuar drejt situatën por edhe proporcional. Sa më sipër, shprehet qartë edhe në parashikimet e nenit 170, pika 4 të Kushtetutës por edhe në nenin 15 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjithashtu institucioni ynë vlerëson në mënyrë të përsëritur se është e domosdoshme rritja e nivelit të transparencës duke i dhënë mundësi qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të atyre që ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe dëshirojnë që të kthehen në vendbanimin e tyre në Shqipëri ku janë rezident që të kenë akses për të vizituar faqet zyrtare të institucioneve publike që ofrojnë shërbime, qoftë edhe në rrugë elektronike. Për këto arsye autoritetet shtetërore janë përgjegjëse për publikimin konform ligjit të akteve të nxjerra prej tyre në Fletoren Zyrtare dhe të informacionit në faqet respektive zyrtare në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme.

Në këtë kuadër, Avokati i Popullit ka përpiluar dhe dërguar rekomandimet e mëposhtme.

1. Marrjen e masave të nevojshme për botimin e menjëhershëm në Fletoren Zyrtare të Urdhrit të Përbashkët nr. 240, datë 07.04.2020, të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrit të Brendshëm "Për vetëkarantinimin e shtetasve shqiptarë të cilët duan të futen në territorin e Republikës së Shqipërisë nga të gjitha Pikat Kufitare tokësore".

2. Marrjen e masave për të garantuar (nëse nuk është bërë një gjë e tillë deri më tani) të drejtën e ankimit të qytetarëve për masat e karantinimit e përfshirja e kësaj të drejte në aktet që komunikojnë një masë detyruese të tillë.

3. Marrjen e masave të menjëhershme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe Ministria e Brendshme për pasqyrimin në faqet zyrtare respektive të aktit nënligjor të cituar më sipër për masat e marra në zbatim të ligjit nr. 15/2016, të ndryshuar, në kuadër të marrjes së masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Për më shumë lexoni rekomandimin e plotë