4 Shkurt 2020

Avokati I Popullit Nis Hetim Administrativ Për Pretendimet Për Keqtrajtim Në Burgun E Peqinit


AVOKATI I POPULLIT NIS HETIM ADMINISTRATIV PËR PRETENDIMET PËR KEQTRAJTIM NË BURGUN E PEQINIT

Në datën 03.02.2020 në emisionin investigativ “Stop” u trajtua publikisht rasti i regjistrimit të bisedës telefonike së një të dënuari me një familjar ku dëgjohet se ai keqtrajtohet brenda qelisë në IEVP Peqin. Në lidhje me këtë rast, mbi bazën e ankimit të shtetases V. M., e cila pretendon se ndaj djalit dhe nipit të saj, L.K dhe R. K, është ushtruar dhunë fizike nga punonjës të policisë së IEVP Peqin, nga institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetimi administrativ. Për verifikimin e ankesës, nga eksperti i ngarkuar me trajtimin e çështjes janë kryer një sërë veprimesh hetimore në IEVP Peqin, në datën 24.12.2019, sikurse janë: Marrja e deklarimeve me shkrim nga të dënuarit që ankohen për dhunën; Këqyrja e librit të hyrje-daljeve të të dënuarve në godinën e observim/veçimit; Këqyrja e librit të aktivitetit 24 orësh në godinë e observim/veçimit; Këqyrja e librit të shërbimit 24 orësh në godinën e infermierisë; Këqyrja e librit të hyrje-daljeve në sektorin 3; Administrimi i praktikave për masat disipinore të dhëna ndaj të dënuarve; Administrimi i dokumentave “propozim për lëvizje dhe sistemim në dhoma”.

Për te realizuar një hetim më të plotë i janë dërguar nga ana jonë kërkesë për informacion drejtuar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në IEVP Peqin se si janë trajtuar ankesat e të dënuarve në lidhje me pretendimin e dhunës së ushtruar si dhe kërkesë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të administruar me cd pamjet e kamerave të sigurisë në IEVP.

Pas administrimit të të gjithë dokumentacionit do të dalim me përfundimet dhe gjetjet përkatëse.