9 Maj 2019

Avokati I Popullit Rekomandim Per Gazetaren Angleze George-Lucas


AVOKATI I POPULLIT REKOMANDIM PER GAZETAREN ANGLEZE GEORGE-LUCAS

Rekomandim për revokimin e vendimit të datës 05.02.2019 të komisionit përkatës të DVKM Tiranë për pjesën e vendosjes së gjobës administrative aplikueses Ophelia Alice Elizabeth George-Lucas.

DREJTORISË VENDORE PËR KUFIRIN DHE MIGRACIONIN

Drejtorit Znj. Enkeleda Toska, Tiranë

Sikurse jeni në dijeni në institucionin e Avokatit të Popullit është administruar ankesa e shtetases angleze Ophelia Alice Elizabeth George-Lukas. Ankuesja ndërmjet të tjerave shpjegon se është me profesion gazetare të cilin e ushtron me gjeneralitetet Alice Taylor dhe që prej muajit Tetor 2017 jeton në Shqipëri duke u pajisur edhe me leje qëndrimi. Nga muaji Dhjetor 2018 ka pasur probleme shëndetësore dhe komplikacione si rrjedhojë e një gravidancë me rrezik aborti. Sipas rekomandimit të mjekut ajo nuk mund të udhëtonte me mjete motorrike.

 Në datën 23.01.2019, ankuesja ka kontaktuar në telefon me një oficer të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë (DVKM Tiranë), i cili kishte shqyrtuar aplikimin e saj një vit më parë, duke i thënë se së afërmi po i mbaronte afati i lejes së qëndrimit dhe e ka vënë në dijeni për problemet shëndetësore që kishte. Në pamundësi për t’u paraqitur i ka kërkuar listën e dokumentave që duheshin plotësuar prej saj për të bërë rinovimin e lejes së qëndrimit në Shqipëri bazuar në lidhjen e saj me partnerin shqiptar. Punonjësi i policisë me të cilin ka biseduar në telefon e ka informuar për dokumentat që duhet të dorëzonte, të cilat përfshinin kopjen e pasaportës, adresën dhe dokumentacionin në lidhje me partnerin e saj.

 Në datën 31.01.2019, me miratimin e mjekut se lëvizjet e saj me mjete motorrike nuk cënonin jetën e fëmijës së saj, ajo është paraqitur në DVKM Tiranë, ku nga punonjësi i policisë është vënë në dijeni se leja e qëndrimit të saj kishte skaduar në datën 27.01.2019. Sipas saj, punonjësi i policisë i ka thënë se, nëse do t’i dërgonte Drejtorit të DVKM Tiranë një raport mjekësor mbi gjendjen e saj shëndetësore, kjo do të kishte vlefshmërinë e apelimit (ankimit) dhe si rrjedhojë mos sanksionimin e saj me gjobë dhe rihapjen e procedurës së aplikimit. Ajo e ka vënë në dijeni punonjësin e policisë se të nesërmen, ditën e premte, në orën 15:00, kishte lënë takim me mjekun. Për këto arsye kanë rënë dakort që pas orës 16:00 kopjen e raportit mjekësor ta dërgonte në rrugë elektronike nëpërmjet WhatsApp, ndërsa kopjen fizike do ta dërgonte në këtë organ në datën 04.02.2019. Ndërkohë asaj i është thënë që të mos bënte pagesën për lejen e qëndrimit në bankë, derisa ai të bënte konfirmimin.

Ditën e premte ajo i ka dërguar në WhatsApp kopjen e raportit mjekësor, ndërsa ditën e hënë ka komunikuar dhe pyetur atë nëse ishte pranuar si dokument dhe nëse nevojiteshin dokumenta të tjera mjekësore. Oficeri i policisë i ka thënë se, ai nuk do të ishte në detyrë deri në datën 15.02.2019 dhe se ajo duhet të paraqitej në këtë institucion ditën e martë dhe të depozitonte raportit mjekësor fizik koleges së tij të quajtur Idela. Ankuesja ka shkuar në DVKM Tiranë ditën e martë më 05.02.2019 dhe ka bërë takim me punonjësen Idela, e cila i ka thënë asaj se kërkesa për apelim nuk ishte pranuar. Sipas ankueses, kjo sjellje e punonjësve të policisë ishte abuzive dhe tendencioze, sepse ajo ishte informuar që ta dërgonte raportin mjekësor në rrugë elektronike ditën e premte, pastaj ta depozitonte atë fizikisht ditën e hënë dhe me pas u shty për ditën e martë dhe si mund të ishte shqyrtuar dhe refuzuar apelimi i saj përpara se ajo të dorëzonte fizikisht raportin në fjalë. Gjithashtu ajo pretendon se ky veprim i policisë është bërë në kundërshtim me ligjin nr. 108/2013 “Për të huajt”, i ndryshuar dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, ku parashikohet se dorëzimi i kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit në tejkalim të afateve ligjore në rastet kur paraqiten dokumenta provues dhe të besueshëm, të cilat ajo i ka bërë, sepse ka njoftuar për gjendje e saj shëndetësore, ka bërë njoftimin paraprak në organin kompetent për pamundësinë e lëvizjes së saj dhe ka depozituar raportet mjekësore, rrethana të cilat përmbushin objektivisht të gjitha kushtet e veçanta të përcaktuara në ligj.

Ankuesja shkruan se nga punonjësja e këtij organi Idela i është thënë se, nëse nuk donte që të deportohej duhet të riaplikonte dhe të paguante penalitetet përkatëse, si dhe taksat sërisht, pavarësisht ose eventualisht të paraqitej pas datës 15.02.2019 dhe të bisedonte me oficerin me të cilin kishte komunikuar në fillim. Ajo pretendon se kjo situatë e rëndoi gjendjen e saj shëndetësore psiko-fizike, gravidancën e saj me rrezik aborti, si dhe depresioni. Sipas saj, këto sjellje të punonjësve të policisë janë të kundërligjshme, diskriminuese dhe cënojnë rëndë të drejtat e njeriut, sikurse është e drejta për shëndet.

Në vijim ajo dhe partneri i saj janë takuar edhe me Drejtorin e DVKM Tiranë, e cila i ka thënë që problemi i saj do të trajtohej konform me aktet ligjore, të bënte pagesën e aplikimit dhe pas dy javësh të shkonte për të tërhequr lejen e qëndrimit.

Pas disa ditësh ajo dhe partneri i saj janë njoftuar në telefon nga punonjësi i DVKM Tiranë se kishte një ndryshim në vendimmarrje. Ankuesja pretendon se për shkak të punës së saj si gazetare, si dhe në bashkëveprim me faktin që partneri i saj ka ushtruar të drejtat e tij kushtetuese për pjesëmarrje në protesta dhe tubime, disa media të shkruara të pozicionuara qartazi në linja qeveritare, kanë ndërmarrë një fushatë shpifjesh ndaj saj dhe partnerit të saj. Për këto shpifje ajo po ndjek rrugën ligjore, si dhe ka vënë në dijeni organizmat ndërkombëtare duke përfshirë edhe Këshillin e Europës, i cili po monitoron rastin e saj.

Tre ditë pas këtyre pohimeve të rreme të medias, ajo është telefonuar nga një punonjës i DVKM Tiranë dhe partnerit të saj i është kërkuar që të paraqitet në këtë organ dhe pasi ai është paraqitur i është thënë se aplikimi për rinovim të lejes ishte refuzuar. Për të rinisur procesin ajo duhet të paguante një gjobë shumë të madhe, kjo pa përfshirë dokumentat me vulë apostile, taksat apo gjobat e tjera, ose të udhëtonte jashtë Shqipërisë dhe më pas të riaplikonte nga e para. Sipas saj, punonjësit e DVKM Tiranë dhe Departamenti për Kufirin dhe Migracionin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Tiranë me veprimet dhe mosveprimet e tyre i kanë shkaktuar asaj dëme financiare, morale dhe shëndetësore, duke shpërdoruar detyrën dhe konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në përfundim të ankesës ajo kërkon ndërhyrjen e institucionit tonë për të bërë të mundur pushimin e cënimit që po i bëhet asaj dhe partnerit të saj nga struktura të caktuara të shtetit shqiptar, të cilat ende nuk i kanë dhënë dokument shkresor në lidhje me vendimmarrjen ndaj aplikimit të saj, por vetëm komunikim verbal.

Për të verifikuar pretendimet e ankueses, në datën 13.03.2019, ndihmëskomisioneri i institucionit tonë, i cili është ngarkuar për shqyrtimin e kësaj ankese, erdhi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë dhe mori takim me ju, Shefin e Sektorit të Migracionit z. Besnik Zela dhe Shefin e Seksionit për Imigracionin z. Altin Hasani. Pasi i prezantoi problemin për të cilin kishte ardhur, u informua rreth rastit në fjalë. Ndërsa z. Altin Hasani, i cili kishte ndjekur këtë rast, u pyet me procesverbal. Ndërkohë këqyrën dhe morën fotokopje të dokumentacionit të aplikimit të ankueses për vitin 2018 dhe 2019, të printimeve të komunkimeve të bëra nga ankuesja me z. Hasani në WhatsApp, si dhe fotokopje të përgjigjes dërguar ankueses nga kjo drejtori me shkresën nr. 397/2 prot., datë 11.03.2019.

Nga pyetja e personave të sipërpëmendur u informuam se:

Shtetësja angleze Ophelia Alice Lucas ka qënë e pajisur me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë nga DVKM Tiranë që nga data 27.01.2018 deri në datën 27.01.2019. Qëllimi i lejes së qëndrimit është për bashkim familjar me shtetasin shqiptar të quajtur M.N. (partner civil). Sipas nenit 38 të ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt”, shtetasi i huaj i pajisur me leje qëndrimi nëse dëshiron ta rinovojë atë duhet të paraqitet 60 ditë para përfundimit të lejes ekzistuese për të paraqitur kërkesë për rinovimin e saj Ndërsa në bazë të VKM nr. 513, datë 13.06.2013 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar me VKM nr. 569, datë 03.10.2018 dhe Urdhërit të përbashkët të Ministrit të Punëve të Brendshme nr. 265, datë 25.05.2015 dhe Drejtorit të Shërbimit Informativ nr. 367, datë 29.05.2015, afati i bërjes së kërkesës për rinovim është brenda 60 ditëve para mbarimit të afatit të lejes ekzistuese.

Shtetësja Ophelia Alice Lucas në datën 23.01.2019 ka komunikuar me z. Hasani në WhatsApp, ku pasi i është prezantuar dhe i ka thënë se kishte nevojë të bënte aplikimin për rinovimin e lejes së qëndrimit një vjeçare, e cila sipas saj skadonte në fund të Janarit ose në fillim të Shkurtit 2019. Ai e ka sqaruar se duhet të aplikonte para afatit të skadimit të lejes ekzistuese, si dhe e ka informuar për dokumentat që duhet të dorëzonte. Meqënëse ajo i ka thënë se ishte me probleme shëndetësore dhe nuk mund të vinte për aplikim, ai i ka thënë asaj që t’i sillte dokumentat bashkëjetuesi i saj. Pas këtij komunikimi ajo e ka falenderuar për sqarimin dhe sugjerimin e bërë.

Në datën 30.01.2019 ajo i ka shkruajtur përsëri z. Hasani dhe e ka pyetur për orarin e punës së institucionit, por për shkak të ngarkesës në punë dhe kohës jashtë orarit zyrtar të punës ai nuk i ka kthyer përgjigje asaj.

Në datën 01.02.2019 ankuesja është paraqitur në DVKM Tiranë. Z. Hasani e ka pritur atë dhe e ka pyetur se përse kishte ardhur për të aplikuar pas datës së mbarimit të lejes së qëndrimit, e cila kishte skaduar në datën 27.01.2019. Ajo ishte justifikuar se kishte qënë e sëmurë. Ndërkohë ai e ka pyetur se përse nuk kishte ardhur bashkëjetuesi i saj sikurse i kishte sugjeruar ai me sms në datën 23.01.2019, por ajo i ka thënë se ai nuk kishte marrë dot leje nga puna.

Ndodhur në këto rrethana dhe me qëllim për ta ndihmuar dhe të shmangte gjobën për kalimin e afatit të dorëzimit të dokumentave, z. Hasani i ka sugjeruar që të dilte nga territori i RSH nga një Pikë Kalimi Kufitar Tokësore me qëllim që të trajtohej në kushte e nenit 37 dhe 38 të ligjit “Për të huajt”. Me hyrjen e re në RSH, asaj i fillonte afati i ri i qëndrimit prej 90 ditësh dhe brenda 30 ditëve nga hyrja duhet të dorëzonte dokumentat e aplikimit për lejen e re të qëndrimit.

Ankuesja ka pretenduar se nuk mund të udhëtonte sepse kishte vështirësi për shkak të shtatëzanisë. Duke u gjendur në këtë situatë, ai i ka sugjeruar asaj që, sipas ligjit në fjalë kishte të drejtë të bënte një kërkesë në DVKM Tiranë për rinovimin e lejes së qëndrimit dhe të paraqiste arsyet e vonesës me dokumenta shoqëruese. Gjithashtu e ka informuar se aplikimi mund të pranohej pasi të shqyrtohej nga komisioni përkatës me ose pa gjobë, e cila referuar nenit 145/1/a/i të ligjit “Për të huajt” varion nga 20000 - 30000 lekë. Mirëpo ajo ka dorëzuar kërkesën për aplikim për pranimin e rinovimit të lejes së qëndrimit, e cila është regjistruar me nr. K-186, datë 01.02.2019, por pa dokumenta shoqëruese shëndetësore për të cilat i ka thënë se do ti dërgonte me sms. Punonjësi i policisë i ka thënë se duhet ti sillte fizikisht dhe ajo i ka sjellë ato në datën 04.02.2019. Ndërkohë ajo i ka shkruajtur në WhatsApp nëse do të pranohej aplikimi i saj. Ai në këtë datë nuk ndodhej në zyrë, por i ka shkruajtur asaj që për tu informuar të merrte takim me operatoren Idela Sinani. Ndërsa raportin mjekësor të saj e ka dërzuar bashkëjetuesi i saj E.H. tek Shefi i Sektorit z. Besnik Zela në datën 04.02.2019.

Në datën 05.02.2019 komisioni është mbledhur dhe ka shqyrtuar aplikimin e ankueses dhe ka vendosur që të pranohet aplikimi pasi të shlyhet gjoba. Njoftimi për qëndrimin e komisionit i është komunikuar bashkëjetuesit të ankueses E.H. nga operatorja Idela Sinani, si dhe asaj në gjuhën angleze. Mirëpo ata të dy nuk e kanë mirëpritur qëndrimin e komisionit për gjobën duke pretenduar se nga punonjësi i policisë Altin Hasani i kishte thënë se nuk do ta paguante gjobën. Ndërkohë ishin larguar pa e marrë kopjen e vendimit për pranimin aplikimit me gjobë.

Në datën 22.02.2019 ka ardhur në DVKM Tiranë bashkëjetuesi i saj për t’u rienteresuar për problemin e bashkëjetueses së tij. Ai është pritur në zyrë nga ana juaj dhe Shefi i Seksionit për Imigracionin në këtë drejtori z. Altin Hasani dhe është informuar për qëndrimin që kishte mbajtur komisioni lidhur me aplikimin e bashkëjetueses së tij, duke i thënë se, që t’i pranohej aplikimi pa dalje nga RSH në bazë të nenit 35/2 të ligjit “Për të huajt”, për arsye humanitare dhe bashkim familjar, ajo duhet të paguante gjobën në shumën 20000 lekë, pasi kishte rënë rinovimi i lejes së qëndrimit për shkak të ndërprerjes së bashkëjetesës me bashkëjetuesin e parë M.N.. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të depozituar prej ankueses është konstatuar se deklarata noteriale për bashkëjetesën e saj me shtetasin E.H. ishte bërë në datën 30.01.2019. Pra ky dokument ishte përpiluar pas datës së skadimit të lejes së qëndrimit të saj. Sipas nenit 35/1/ç,d të ligjit “Për të huajt” nëse është zgjidhur martesa ose është ndërprerë bashkëjetesa, arsyeja e dhënies së lejes së qëndrimit bie dhe për rrjedhojë edhe leja e qëndrimit nuk mund të rinovohet. Ankuesja nuk e ka deklaruar ndërprerjen e bashkëjetesës me shtetasin M.N.. Ndodhur në këto rrethana leja e qëndrimit të saj nuk mund të rinovohej për shkaqe familjare për të cilën ishte lëshuar leja e parë.

Bashkëjetuesi i ankueses shtetasi E.H. e ka mirëpritur vendimin e komisionit për të pranuar aplikimin e bashkëjetueses së tij pa dalë jashtë territorit të RSH, ndërsa gjobën nuk e ka mirëpritur, duke e konsideruar politike.

Sipas z. Hasani, ditët e para të muajit Mars 2019 ankuesja është prononcuar në media duke pretenduar se i kishin refuzuar lejen e qëndrimit për arsye politike. Në datën 4 ose 5 Mars 2019 z. Hasani e ka marrë në telefon ankuesen dhe i ka thënë që të paraqitej bashkëjetuesi i saj dhe të vazhdonte procedurën e aplikimit. Në datën 08.03.2019 është paraqitur në DVKM Tiranë bashkëjetuesi i saj. Shefi i Seksionit i ka thënë se duhet të bënte pagimin e gjobës në shumën 20000 lekë dhe menjëherë pas pagimit të gjobës, bashkëjetuesja e tij do të pajisej me leje qëndrimi një vjeçare. Mirëpo ai në mënyrë të pasjellshme ka thënë se, gjoba i është vendosur sepse ajo po shante qeverinë dhe se gjobën nuk do ta paguanin dhe ndërkohë ka kërkuar kopje të përgjigjes, sepse do të ndiqte rrugën ligjore duke e çuar çështje në gjykatë dhe po patët b…. hajdeni dhe përzejeni atë nga Shqipëria. Pavarësisht sjelljes së tij jo etike, z. Hasani e ka sqaruar se qëndrimi i mbajtur nga DVKM ishte ligjor dhe se bashkëjetuesen e tij nuk do ta largonin nga Republika e Shqipërisë, sepse prevalonte interesi familjar dhe shëndetësor dhe për këtë ishin të arsyeshëm. Ai ka shprehur konsiderata për ndihmën e dhënë nga znj. Toska dhe z. Hasani, por ka shprehur rezerva ndaj shefave të tyre duke shprehur edhe fjalë fyese.

Ndërkohë atij i është thënë se përgjigjia ishte gati, por duhet të vinte ta merrte ditën e hënë, sepse nuk ndodhej zonja Toska. Përgjigjia ishte bërë gati, por ndonëse kishin rënë dakort me bashkëjetuesin e ankueses shtetasin E.H. që të shkonte dhe ta merrte atë dorazi, as ai dhe as ankuesja nuk e kishin marrë atë. Ndodhur në këto rrethana, në datën 13.03.2019 z. Hasani kishte komunikuar në telefon me bashkëjetuesin e ankueses shtetasin E.H. dhe e ka njoftuar se përgjigja ishte bërë gati dhe se atë e kishin dërguar me postë.

Me shkresën nr. 397/2 prot., datë 11.03.2019, DVKM Tiranë i jep përgjigje ankueses ku ndërmjet të tjerave e informon se, bazuar në dokumentacionin e paraqitur dhe në zbatim të nenit 34, pika “d” të ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt”, i ndryshuar, motivi për të cilin ëshë lëshuar leja e qëndrimit nuk ekziston më, pasi bashkëjetesa me partnerin civil M.N. është zgjidhur. Në këto kushte kërkesa për rinovimin e lejes së qëndrimit nuk miratohet.

Ndërkohë në këtë përgjigje ankuesja është informuar se, pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur pranë DVKM Tiranë, pranohet aplikimi për leje qëndrimi, me afat 12 muaj, me motiv bashkim familjar me (partner civil) shtetasin E.H., bazuar në nenin 35, pika 2, për arsye humanitare, për shkak të shtatëzanisë, pa dalë nga territori, duke plotësuar dokumentacionin me Dëshmi Penaliteti, të marrë në Shqipëri.

Gjithashtu ajo informohet se, është paraqitur jashtë afatit ligjor pranë autoritetit të migracionit dhe në shkelje të ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt”, të ndryshuar, respektivisht nenit 38/1, dhe për këtë duhet të paguajë gjobën administrative të parashikuar nga neni 145, pika 1, shkonja a/i, ku shprehet se: “Dënohet me gjobë nga 20000 deri 30000 lekë i huaji i cili, gjendet në territorin e Republikës së Shqipërisë pa dokumentin e kërkuar të udhëtimit, vizën apo lejen e qëndrimit, apo nuk përmbush detyrimin për tu regjstruar apo për të aplikuar për leje qëndrimi”. Në zbatim të nenit 38/3 të ligjit të cituar më sipër dhe VKM nr. 513, datë 13.06.2013 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, afati i dorëzimit të dokumentave të munguara është 30 ditë.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj ankese kemi arritur në përfundimin se, pretendimet e ngritura nga ankuesja se qëndrimi i punonjësve të DVKM Tiranë ndaj saj është politik dhe diskriminues nuk provohen. Ndërkohë konstatojmë se gjoba administrative e vendosur asaj është e pa bazuar në ligj. Nga përgjigjia juaj dërguar ankueses me shkresën nr. 397/2 prot., datë 11.03.2019 rezulton se, aplikimi i saj për leje qëndrimi është pranuar për arsye humanitare, për shkak të shtatëzanisë, bazuar në nenin 35, pika 2 e ligjit nr. 108/2013, ku parashikohet se: “Në rrethana të jashtëzakonshme, leja e qëndrimit mund të lëshohet ose ripërtërihet, nëse qëllimi i qëndrimit nuk ekziston më ose ka ndryshuar për shkak të trajtimit mjekësor, ndërprerja e të cilit kërcënon humbjen e jetës, bashkimit familjar ose për arsye humanitare”. Sqarojmë se në “Kartelën shoqëruese të praktikës” në rubrikën “Shënim”, në fund të saj, është shkruajtur” “Të pranohet rinovimi i lejes së qëndrimit”. Duke iu referuar VKM nr. 513, datë 13.06.2013 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar me VKM nr. 569, datë 03.10.2018, Pika 3, Kreu III, gërma “c”, parashikohet se: “Përtej afatit të përcaktuar në shkronjën “b”, të kësaj pike, për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit në rrethana të jashtëzakonshme, pas vlerësimit të tyre nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin.” Sipas kësaj dispozite aplikimi për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit bëhet edhe përtej afatit të përcaktuar në shkronjën "b", të kësaj pike, në rrethana të jashtëzakonshme (shëndetësore apo humanitare), pas vlerësimit të tyre nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin.

Pra, meqënëse rastin në fjalë e keni vlerësuar për arsye humanitare, shtatëzanisë së ankueses, nga ana juaj nuk duhej të aplikohej penaliteti me gjobë administrative sikurse keni bërë në fakt. Vendosja e gjobës ankueses dhe mos pagimi i saj po e pengon atë që të pajiset me lejen e qëndrimit në RSH.

Ndër të tjera provohet dhe fakti se kërkuesja ka shprehur interesim për plotësimin e aplikimit siç vërtetohet nga hetimi i kryer dhe kryqëzimi i pretendimeve, por ka qënë në pamundësi shëndetësore për ta kryer në kohë atë.

Për sa më sipër dhe me qëllim rivendosjen në vend të të drejtës së shkelur ankueses, bazuar në pikën 3 të nenit 63 të Kushtetutës ku parashikohet se: “Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike” dhe në bazë të nenit 21/b të ligjit nr.8454 dt. 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, ku parashikohet se: “Avokati i Popullit paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ, që, sipas tij ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive”,

 

R E K O M A N D O J M Ë :

 

Marrjen e masave të nevojshme për revokimin e vendimit të datës 05.02.2019 të komisionit përkatës të DVKM Tiranë për pjesën e vendosjes së gjobës administrative aplikueses Ophelia Alice Elizabeth George-Lucas.

Për qëndrimin që do të mbani dhe masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi na vini në dijeni brenda afatit ligjor prej 30 ditësh të parashikuar në nenin 22 të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar.