21 Mars 2020

Parimet E Këshillit Të Europës Për Trajtimin E Personave Në Vendet E Privimit Te Lirisë


Parimet e Këshillit të Europës për trajtimin e personave në vendet e privimit te lirisë

Ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor apo degradues është një ndalim i natyrës absolute në çdo rast dhe çdo situatë. Avokati i Popullit e vlerëson impenjimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar të drejtat e të gjithë personave të ndodhur në qendra të mbyllura ku përfshihen tashmë edhe vendet e karantinës. Komiteti Kundër Torturës i Këshillit të Europës në ndihmë të autoriteteve dhe institucioneve të mbrojtes së të drejtave të njeriut në Europë, ka publikuar këto parime udhërrëfyese në këto kohë lufte frontale për të përballuar rrezikun e ardhur nga COVID 19.

***

Parimet e Këshillit të Europës për trajtimin e personave në vendet e privimit te lirisë

Pandemia e sëmundjes Coronavirus (COVID-19) ka krijuar sfida të jashtëzakonshme për autoritetet e të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Europës. Tashmë ekzistojnë sfida specifike dhe intensive për personelin që punon në vende të ndryshme të privimit të lirisë, duke përfshirë institucionet e paraburgimit në Komisariatet dhe Drejtoritë e Policisë, institucionet e burgjeve, Qendrat e Pritjes së Emigrantëve, spitalet psikiatrike dhe shtëpitë e kujdesit shoqëror, si dhe në objektet / zonat e ndryshme të reja të krijuara, të vendosura në karantinë. 

Ndërsa afirmon urdhërimet e qarta për të ndërmarrë veprime të forta për të luftuar COVID-19, CPT duhet të kujtojë të gjithë aktorët për natyrën absolute të ndalimit të torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose poshtërues. Masat mbrojtëse kurrë nuk duhet të rezultojnë në një trajtim çnjerëzor ose degradues të personave të privuar nga liria. Sipas këndvështrimit të CPT, parimet e mëposhtme duhet të zbatohen nga të gjitha autoritetet përkatëse përgjegjëse për personat të privuar nga liria brenda zonës së Këshillit të Europës. 

1) Parimi themelor duhet të jetë ndërmarrja e të gjitha veprimeve të mundshme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e të gjithë personave të privuar nga liria. Ndërmarrja e një veprimi të tillë kontribuon gjithashtu në ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së stafit.

2) Udhëzimet e OBSH-së për luftimin e pandemisë, si dhe udhëzimet klinike për shëndetin kombëtar, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duhet të respektohen dhe zbatohen plotësisht në të gjitha vendet e privimit të lirisë.

3) Disponueshmëria e stafit duhet të përforcohet, dhe stafi duhet të marrë të gjithë mbështetjen profesionale, mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë, si dhe trajnime të nevojshme në mënyrë që të jenë në gjendje të vazhdojnë të përmbushin detyrat e tyre në vendet e privimit të lirisë. 

4) Cdo masë kufizuese e marrë ndaj personave të privuar nga liria për të parandaluar përhapjen e COVID-19 duhet të ketë një bazë ligjore dhe të jetë e nevojshme, proporcionale, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe e kufizuar në kohë. Personat e privuar nga liria duhet të marrin informacion të plotë, në një gjuhë që ata kuptojnë, për çdo masë të tillë. 

5) Për shkak se kontakti i ngushtë personal inkurajon përhapjen e virusit, duhet të bëhen përpjekje të bashkërenduara nga të gjitha autoritetet përkatëse që të përdorin alternativa për privimin e lirisë. Një qasje e tillë është e domosdoshme, në veçanti, në situata të mbipopullimit. Në vijm, autoritetet duhet të përdorin më shumë alternativa të paraburgimit; ulja e dënimeve, lirimi i parakohshëm dhe shërbimi i provës; rivlerësojë nevojën për të vijuar mbajtjen e pavullnetshme të pacientëve psikiatrik; lirimin ose vendosjen nën kujdesin e komunitetit, kur është e përshtatshme, banorëve të shtëpive apo qendrat e kujdesit shoqëror; si edhe të përmbahen, në masën maksimale të mundshme, nga ndalimi i migrantëve. 

6) Përsa i përket ofrimit të kujdesit shëndetësor, vëmendje e veçantë do të kërkohet për nevojat specifike të personave të ndaluar në lidhje me grupet vulnerabël dhe / ose grupet në rrezik, të tillë si persona të moshuar dhe personat me kushte mjekësore ekzistuese. Kjo përfshin, ndër të tjera, testimin apo analizimin  për COVID-19 dhe ofrimin e kujdesit intensiv respektiv. Për më tepër, gjatë kësaj perudhe, personat e ndaluar duhet të marrin ndihmë psikologjike shtesë nga stafi i institucioneve. 

7) Ndërsa është e ligjshme dhe e arsyeshme të pezullohen aktivitetet jo thelbësore, të drejtat themelore të personave të ndaluar gjatë pandemisë duhet të respektohen plotësisht. Kjo përfshin në veçanti të drejtën për të ruajtur higjenën e duhur personale (duke përfshirë aksesin për ujë të nxehtë dhe sapun) dhe të drejtën e aksesit ditor në ajër të hapur (të paktën një orë). Për më tepër, çdo kufizim në kontaktin me botën e jashtme, përfshirë vizitat, duhet të kompensohet nga rritja e aksesit në mjete alternative të komunikimit (të tilla si telefon ose komunikim përmes Internetit). 

8) Në rastet e izolimit ose vendosjes në karantinë të një personi të ndaluar, i cili është i infektuar ose dyshohet se është i infektuar nga virusi SARS-CoV-2, personit në fjalë duhet t'i garantohet  çdo ditë një kontakt domethënës njerëzor.

9) Masat mbrojtëse themelore kundër keqtrajtimit të personave në kujdestari të zyrtarëve të zbatimit të ligjit (qasja te një avokat, qasja te mjeku, njoftimi i kujdestarisë) duhet të respektohen plotësisht në të gjitha rrethanat dhe në çdo kohë. Masat paraprake (të tilla si kërkimi i personave me simptoma që të veshin maska mbrojtëse) mund të jenë të përshtatshme në disa rrethana.

10) Monitorimi nga organet e pavarura, përfshirë Mekanizmat Kombëtar Parandalues (NPM) dhe CPT, mbetet një mbrojtje thelbësore kundër keqtrajtimit. Shtetet duhet të vazhdojnë të garantojnë qasjen për organet monitoruese në të gjitha vendet e ndalimit, përfshirë vendet ku personat mbahen në karantinë. Sidoqoftë, të gjithë organet monitoruese duhet të marrin çdo masë paraprake për të respektuar parimin “mos bëj dëm”, veçanërisht kur merren me persona të moshuar dhe persona me kushte mjekësore ekzistuese.