Komisioneri Ahmet Prençi, Komunikim Me Median Për Gjetjet Nga Monitorimi I Protestës Së 19 Tetorit 2026
Sot, 20 tetor, si komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, që është njësi e Avokatit të Popullit, ju informoj mbi gjetjet nga monitorimi i 24 orëve të fundit në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë protestës dhe me trajtimin e personave të shoqëruar dhe të lënduar.
Këto janë gjetje paraprake. Hetimi i thelluar vazhdon, dhe do t'ju njoftojmë brenda afateve ligjore.
Gjatë ditës së 19 tetorit deri në mbrëmje vonë, ekipe të Avokatit të Popullit kanë inspektuar Komisariatet e Policisë nr. 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 në Tiranë, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës.
Në komisariatet nr. 5 dhe 6 nuk u raportuan persona të shoqëruar, dhe për këtë arsye nuk janë pjesë e këtij raportimi.
Ditën e djeshme, policia ka shoqëruar 50 persona: 32 të rritur dhe 18 të mitur.
Komisariati nr. 1: 21 persona, ndër ta 8 të mitur.
Komisariati nr. 2: 19 persona, ndër ta 7 të mitur, 2 gra.
Komisariati nr. 4: 10 persona, ndër ta 3 të mitur.
Blloku i Sigurisë: ndodheshin 109 persona të arrestuar, 1 i mitur, 4 gra.
Spitali i Traumës: 34 persona kanë marrë trajtim mjekësor nga këta 21 punonjës policie,7 protestues dhe 5 kalimtare.
Gjatë ditës së djeshme kemi marrë kontakt me 193 persona të ndaluar, të arrestuar dhe në spital, prej të cilëve 6 gra, 19 të mitur. Gjithsej kemi administruar 11 ankesa, nga të cilat 10 në Bllokun e Sigurisë, njëra për një të mitur ne Komisariarin nr.1.
Kemi marrë gjithashtu telefonata në numrin zyrtar dhe disa raste na janë referuar përmes rrjeteve sociale. Nga administrimi i këtyre materialeve, kemi nisur hetimin administrativ për këto raste ku dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut.
Në komisariatin nr. 1, pesë nga tetë të miturit e ndaluar pretenduan dhunë fizike dhe verbale nga punonjësit e policisë së shtetit. Ne dy prej tyre u konstatuam shenja te dëmtimit fizik. Në Bllokun e Sigurisë kemi marrë një ankesë për dhunë ndaj një të mituri.
Standardi: Neni 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose poshtërues, pa asnjë përjashtim. Konventa për të Drejtat e Fëmijës (KDF), neni 37, kërkon trajtim humanitar dhe respektim të nevojave të personave nën moshën 18 vjeç.
Kjo ka rëndësi sepse dhuna ndaj një të mituri në shoqërim është shkelje absolute dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo rast.
Garancitë procedurale për të miturit
Në komisariatin nr. 1, të miturve nuk u ishte dhënë formulari i të drejtave. Pas ndërhyrjes sonë, u dha formulari për të rriturit, por edhe ai ishte i papërditësuar. Gjashtë të mitur u regjistruan në regjistrin e të rriturve. Në komisariatin nr. 4, regjistri i të miturve ishte plotësuar pjesërisht.
Standardi: Neni 5 i KEDNJ kërkon që çdo person i privuar nga liria të informohet menjëherë për arsyet dhe të drejtat e veta. KDF, neni 37, kërkon që të miturit të ndahen nga të rriturit dhe të kenë akses të shpejtë te ndihma juridike. Kodi i Procedurës Penale dhe ligji për drejtësinë penale për të miturit përcaktojnë format e informimit dhe të njoftimit të prindit ose kujdestarit.
Kjo ka rëndësi, sepse a formular të saktë dhe regjistër të veçantë, shkelja e këtyre të drejtave nuk mund të provohet, dhe i mituri mbetet pa mbrojtjen që i ka garantuar ligji.
Dhuna ndaj të rriturve
Të shoqëruarit pretenduan për dhunë gjatë momentit të ndalimit duke përfshirë përdorimin e sprait me piper dhe të gazit lotsjellës, goditje me bombol gazi lotsjellës, tërheqje zvarrë, si dhe dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e policisë së shtetit. Një ankues pretendoi se u godit në një zyrë të komisariatit nr. 4, ku nuk ka kamera sigurie.
Standardi: Neni 3 i KEDNJ dhe neni 2 për mbrojtjen e jetës. Parimet Bazë të OKB-së për përdorimin e forcës (1990) kërkojnë që forca të jetë e domosdoshme dhe proporcionale. Neni 11 i KEDNJ mbron të drejtën e tubimit paqësor, dhe çdo kufizim duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional.
Kontrolli i telefonave
Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria.
Standardi: Neni 8 i KEDNJ mbron jetën private dhe korrespondencën. Çdo ndërhyrje duhet të ketë bazë ligjore dhe të jetë e domosdoshme. Kodi i Procedurës Penale parashikon që kontrolli dhe marrja e të dhënave elektronike të bëhen me urdhër të prokurorit dhe me autorizimin e gjykatës
Kjo ka rëndësi se: Kontrolli pa bazë ligjore është ndërhyrje në jetën private dhe cenim i të drejtave themelore të njeriut
Shoqërimet pa shkak individual
Disa ankues deklarojnë se u shoqëruan në komisariat pa patur një shkak të ligjshëm pasi ata ishin kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.
Standardi: Neni 5 i KEDNJ lejon privimin nga liria vetëm për shkaqe të ligjshme dhe të përcaktuara, si dyshimi i arsyeshëm për një vepër penale.
Identifikimi i punonjësve të policisë
Në komisariatet 2 dhe 4 u evidentuan punonjës policie pa numra identifikues, si dhe mangësi të dhënash në regjistrat e shoqërimit.
Standardi: Kodi Evropian i Etikës së Policisë (Këshilli i Evropës, 2001) dhe standardet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) kërkojnë që policët të jenë të identifikueshëm. Ligji nr. 108/2014 "Për Policinë e Shtetit" parashikon detyrimet e policisë në përmbushjen e detyrës
Kjo ka rëndësi sepse, pa identifikim, bëhet e vështirë përgjegjësia personale për rastet e akuzave për dhunë, por dëmton edhe besimin tek policia e shtetit duke mos arritur të ndaj ata që shkelin ligjin nga punonjësit e policisë që veprojnë në respektim të tij.
Kushtet dhe kapaciteti
Në Bllokun e Sigurisë ndodhen rreth 109 persona të arrestuar. Mbingarkesa e ambienteve është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor.
Standardi: Neni 3 i KEDNJ dhe Gjykata e Strasburgut, në jurisprudencën e saj ka përcaktuar hapësirën minimale prej 3 m² për të burgosur në qeli me shumë persona. Standardet e CPT-së për paraburgimin policor kërkojnë shtrat, ushqim, ujë, higjienë dhe kujdes mjekësor.
Kjo ka rëndësi sepse mbingarkesa është shkak i drejtpërdrejtë i shkeljeve të tjera, sepse i bën të pamundur mbrojtjen e të drejtave themelore.
Në përfundim:
Theksojmë se e drejta për tubim paqësor është e garantuar nga Kushtetuta, dhe protestuesit duhet ta ushtrojnë atë paqësisht. Ne dënojmë çdo akt dhune, nga kushdo që vjen.
Policia e shtetit ka detyrimin të garantojë sigurinë publike, por forca duhet të përdoret vetëm kur është e domosdoshme dhe në masë proporcionale.
Gjithashtu çdo punonjës i policisë duhet të jetë i identifikueshëm dhe të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet që kryen.
Të miturit kanë garanci të veçanta, që nuk mund të anashkalohen në asnjë rrethanë.
Nisur nga ato që kemi konstatuar deri në këtë fazë kërkojmë nga:
Policia e Shtetit: identifikim i tyre është i detyrueshëm për çdo punonjës në detyrë, me numër identifikues të dukshëm, dhe identifikim i automjeteve në çdo operacion.
Ministria e Brendshme: Të ndërhyjë urgjent për mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë, me zvogëlimin e menjëhershëm të numrit të personave dhe transferimin në ambiente të tjera brenda kapacitetit ligjor.
Policia e Shtetit: Të siguroj kamera në çdo ambient shoqërimi dhe intervistimi ne çdo zyrë, me ruajtje të pamjeve, dhe ruajtja e menjëhershme e pamjeve të datës 19 tetor.
Policia e Shtetit: Nuk lejohet asnjë kontroll i telefonave pa urdhër gjyqësor, dhe asnjë kërkesë për fjalëkalime pa bazë ligjore.
Policia e Shtetit: Të sigurohet në çdo rast prezenca e prindit ose kujdestarit dhe e psikologut për çdo intervistë me të mitur; formular i të drejtave në versionin për fëmijë, para çdo pyetjeje; regjistër i veçantë për të miturit.
Policia e Shtetit: Të realizohet trajnim i vazhdueshëm mbi përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës.
Policia e Shtetit: të plotësoj regjistrat e shoqërimit me të gjitha të dhënat e kërkuara.
Ministria e Shëndetësisë dhe Policia e Shtetit: të sigurojnë mjekë të disponueshëm në çdo kohë në ambientet e shoqërimit, dhe dokumentim mjekësor i çdo dëmtimi sipas Protokollit të Stambollit.
Avokati i Popullit do të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave dhe çdo rast i abuzimit po hetohet kryesisht me nismën e Avokatit të Popullit.
Ftojmë çdo qytetar që, nëse i janë shkelur të drejtat nga policia e shtetit, të na drejtohet me ankesa individuale: përmes numrave tanë të telefonit, faqes zyrtare apo rrjeteve sociale.
Konfidencialiteti garantohet.
Faleminderit.