23 Nëntor 2023

Avokatja E Popullit Erinda Ballanca Mori Sot Pjesë Në Forumin E Hapur "Advokimi Për Ndryshim: Ndihmë Juridike Falas Për Viktimat E Dhunës Me Bazë Gjinore Dhe Grupet Në Nevojë".


Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori sot pjesë në forumin e hapur "Advokimi për Ndryshim: Ndihmë Juridike Falas për Viktimat e Dhunës me Bazë Gjinore dhe Grupet në Nevojë".

“Shtëpia e Evropës” mirëpriti sot forumin e hapur “Advokimi për Ndryshim: Ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe grupet në nevojë”, në të cilin adresoi mesazhin e saj në një panel me të ftuar edhe Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca. 

 

Ky forum, i cili bën pjesë në kuadrin e aktiviteteve ndërgjegjësuse të lidhura me 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj grave, adresoi çështje kritike që lidhen me aksesin në drejtësi dhe mbështetjen ligjore për grupet vulnerabël brenda shoqërisë sonë. 

 

Gjatë diskutimeve u parashtrua nevoja për ndihmë juridike falas, veçanërisht për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe grupet e tjera të margjinalizuara.  

 

Znj. Ballanca, theksoi rëndësinë e kësaj nisme advokuese, ndërsa evidentoi aspektet e rëndësishme që ka sjellë miratimi i Ligjit “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” dhe rëndësinë që çdo individ të informohet sa më mire, në mënyrë që t’i drejtohen në mënyrën e duhur institucioneve për problematikat e pretenduara. 

 

“Shteti duhet të alokojë burimet e duhura njerëzore, teknike dhe financiare që ndër të tjera të sigurohet akses për shërbime ligjore falas për gratë të cilat përjetojnë dhunë me bazë gjinore. Këto janë rekomandime që Komiteti CEDAW i ka dhënë së fundmi për shtetin shqiptar dhe që janë dhe rekomandime të dhëna më herët dhe nga Avokati i Popullit, në kuadër të Raportit Alternativ të përgatitur për vitet 2016-2020, që po ashtu është theksuar në Raportin e Veçantë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për dhunën ndaj grave në Shqipëri për vitet 2020-2021”, u shpreh znj. Ballanca 

 

Avokatja e Popullit bëri me dije se ndër prioritet e institucionit që ajo drejton, në përmbushjen edhe të tagrit të tij kushtetues, janë thelbësore të drejtat e grave të adresuara nëpërmjet këshillimeve si dhe rekomandimeve drejtuar insitucioneve të administratës publike. 

 

Një aspekt i rëndësishëm duke u nisur edhe nga situata e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në vend, Avokati i Popullit po punon për ngritjen e Observatorit për Femicidet, me mbështetjen e UNWOMEN. 

 

Forumi u organizua nga shoqata “Të ndryshëm - të barabartë”, në zbatim të projektit “Rritja e kapaciteteve për ofrimin e ndihmës juridike falas për viktimat e krimit dhe individë të tjerë vulnerabël nëpërmjet fuqizimit të profesionistëve të ligjit dhe avokatisë “probono”, si pjesë e Projektit “Zgjerimi i shërbimit të ndihmës juridike falas për gratë dhe burrat në Shqipëri”, i cili po zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë dhe me mbështetjen financiare të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC).