24 Gusht 2018

Avokati I Popullit Vazhdimisht Tërheq Vëmendjen Për Gjendjen Në Spitalet E Kujdesit Të Shëndetit Mendor Në Shqipëri


AVOKATI I POPULLIT VAZHDIMISHT TËRHEQ VËMENDJEN PËR GJENDJEN NË SPITALET E KUJDESIT TË SHËNDETIT MENDOR NË SHQIPËRI

 

Ngjarjet e kohëve të fundit ku në fokus kanë qenë persona me probleme të shëndetit mendor, kanë nxjerrë edhe një herë në pah situatën në institucionet shqiptare që kujdesen për këtë kategori qytetarësh.

Mungesa e trajtimit të përshtatshëm në spitalet psikiatrike në vend, mbipopullimi, organika e tyre e varfër, degradimi i infrastrukturës dhe mosinvestimi shumëvjeçar, kanë qenë prej kohësh disa nga rekomandimet drejtuar nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit për këto spitale dhe ministrinë e linjës.

Fatkeqësisht, ashtu si edhe më parë, duhet që ngjarje të rënda të trondisin opinionin publik, që të kthehet edhe një herë vëmendja në paralajmërimet që institucioni i Avokatit të Popullit ka dërguar shpesh edhe një vit më herët në lidhje me këto institucione apo të tjera të ngjashme me to.

Ndërkohë që temë e ditës në Shqipëri është mënyra sesi duhet të trajtohen nga institucionet tona të shëndetit mendor qytetarë që vuajnë nga këto probleme por që mbeten në mëshirën e rrugës, prej një viti Avokati i Popullit u kërkon institucioneve të rrisin kapacitetet dhe të përmirësojnë kushtet në spitalet psikiatrike në vend.

Në një inspektim të kryer më 14.12.2017 në Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë listuar një sërë problematikash të cilat u janë shtruar për zgjidhje autoriteteve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe administratës së spitalit.

Ndër to renditeshin mbipopullimi me mbi 30 persona mbi kapacitet i këtij spitali, zënia e panevojshme e hapësirave të spitalit nga pacientë që mund të trajtoheshin në kushte të tjera si ata me aftësi të kufizuar intelektuale apo abuzuesit narkotikë e alkoolikë, mungesën e standardeve të dhomës së izolimit, mungesën e bazës materiale në mjete shtrënguese, organikën e pamjaftueshme të stafit të mjekëve, infermierëve dhe kujdestarëve, probleme të infrastrukturës së ngrohjes, higjienës etj.

Të gjitha rekomandimet për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe përmirësimin e situatës iu dërguan qysh në fund të vitit të shkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe administratës spitalore.

Fatkeqësisht, ashtu si edhe në raste të tjera analoge, përgjigjet e dërguara nga këto institucione kanë qenë të vakëta, të përgjithshme, sipërfaqësore dhe të pashoqëruara nga veprime konkrete.

Institucioni i Avokatit të Popullit tërheq vëmendjen që institucionet shtetërore të tregohen më të vëmendshme dhe serioze në trajtimin e rekomandimeve që ekspertët e këtij institucioni ngrenë në mënyrë periodike, për të mos ua lënë ngjarjeve tragjike konfirmimin e shqetësimeve të ngritura nga grupet tona të inspektimit.

Përmirësimi i punës dhe ndihma për një evidentim të paanshëm dhe cilësor të problematikave janë qëllimi kryesor i rekomandimeve që institucioni i Avokatit të Popullit u dërgon autoriteteve që administrojnë institucione me rëndësi dhe impakt jetik për qytetarët.

Rekomandimi i Plotë