12 Qershor 2018

Avokati I Popullit Organizoi Në Bulqizë Aktivitetin “Ndal Shfrytëzimit Të Punës Së Fëmijëve”, Me Rastin E Ditës Ndërkombëtare Kundër Punës Së Fëmijëve


AVOKATI I POPULLIT ORGANIZOI NË BULQIZË AKTIVITETIN “NDAL SHFRYTËZIMIT TË PUNËS SË FËMIJËVE”, ME RASTIN E DITËS NDËRKOMBËTARE KUNDËR PUNËS SË FËMIJËVE

 

Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me Zyrën UNICEF-it dhe Zyrën OSBE-së, Shqipëri, organizuan veprimtarinë “Ndal shfrytëzimit në punë të fëmijëve”, me rastin e 12 qershorit, Ditës Ndërkombëtare kundër Punës së Fëmijëve

Kjo veprimtari kishte si qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe institucioneve shtetërore, nëpërmjet identifikimit në mënyrë aktive të rasteve të shfrytëzimit të fëmijëve për punë, si dhe trajtimit me prioritet të çdo rasti të raportuar të fëmijës së shfrytëzuar dhe ndërmarrjes së veprime konkrete, për largimin e fëmijës nga situata e shfrytëzimit ekonomik.

Institucioni i Avokatit të Popullit në këtë veprimtari promovuese prezantoi gjetjet dhe sfidat për përmirësimin e punës së institucioneve shtetërore përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor, për identifikimin, referimin, mbrojtjen e fëmijëve që shfrytëzohen për punë, në Bashkinë Bulqizë.

“Fëmijët, janë ata tek të cilët ndikojnë jo vetëm drejtëpërsëdrejti, por edhe tërthorazi, të gjitha pasojat e veprimeve të paligjshme apo të parregullta që mund të kryejnë organet e qeverisjes qendrore apo vendore në veprimtarinë e përditshme. Ndaj më tepër investime kërkohen për ta, dhe jo vetëm nga pikëpamja materiale e financiare, por edhe në kuptimin e ndjeshmërisë dhe të shumëfishimit të energjive kushtuar mbrojtjes më të mirë e promovimit të mirëqënies e zhvillimit të tyre”, tha Avokatja e Popullit, znj.Erinda Ballanca.

Puna që kryejnë fëmijët është një ndër shkeljet më të përhapura në drejtim të mbrojtjes së tyre nga shfrytëzimi ekonomik.

Në botë, rreth 150 milion fëmijë në vit janë të angazhuar në një nga format e punës së paguar apo papaguar (ILO, 2015). Edhe në Shqipëri, fenomeni i punës së fëmijëve ekziston dhe është mjaft i përhapur. Rreth 200 fëmijë shfrytëzohen për punë në sektorin energjetik, kryesisht të angazhuar në minierat e zonës së Bulqizës.