13 Nëntor 2019

Institucioni I Avokatit Të Popullit Përfaqësohet Në Konferencën Vjetore Të Rrjetit Europian Të Institucioneve Kombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut


INSTITUCIONI I AVOKATIT TË POPULLIT PËRFAQËSOHET NË KONFERENCËN VJETORE TË RRJETIT EUROPIAN TË INSTITUCIONEVE KOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Me datë 13.11.2019, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca dhe Komisionerja e Seksionit të Administratës Erjona Canaj morën pjesë në konferencën vjetore të Rrjetit Europian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (ENNHRI). Konferenca zgjati dy ditë, me fokus në të drejtat ekonomike dhe sociale.
Objektivat e kësaj konference e cila bashkoi Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut në Evropë si dhe organizata rajonale dhe ndërkombëtare dhe shoqërinë civile ishin të fokusuara në çështjen e të drejtave ekonomike dhe sociale, me dy objektiva kryesorë:
• Rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me rolin dhe rëndësinë e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (IKDNJ), për realizimin e të drejtave ekonomike dhe sociale në Evropë;
• Nxitjen e një qasje të bazuar në të drejtat e njeriut lidhur me politikat dhe reformat mbi të drejtat ekonomike dhe sociale në nivel Evropian.
Në ditën e parë, aktiviteti përfshiu panele të nivelit të lartë dhe diskutime interaktive në grupe të vogla, me fokus varfërinë, të drejtën për strehim, të drejtat e punës, justifikueshmërinë dhe promovimin e të drejtave ekonomike dhe sociale. Pjesëmarrësit prezantuan të drejtat dhe kornizat e politikave lidhur me këto të drejta, dhe se si ato mund të shfrytëzohen nga institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe ndanë me njeri-tjetrin praktikat e përdorimit të mandatit të tyre të gjerë për t'u përpjekur për realizimin e të drejtave ekonomike dhe sociale.
Konferenca cdo vit prodhon një seri rekomandimesh inovative për institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut lidhur me përparimin e mëtejshëm në realizimin e të drejtave ekonomike dhe sociale në Evropë, edhe përmes mbështetjes së ENNHRI dhe palëve të tjera të interesuara.