Avokati I Popullit Prezanton Gjendjen E Të Drejtave Të Njeriut Në Departamentin Amerikan Të Shtetit
Avokati i Popullit, Endrit Shabani, u prit në një takim zyrtar në Departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington, në Byronë e Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës.
Në qendër të diskutimit ishte gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Gjatë bisedës u prezantua raporti i fundit i Avokatit të Popullit, ku trajtohen sfidat kryesore si kushtet në sistemin e burgjeve, numri i lartë i të paraburgosurve, zvarritjet e proceseve gjyqësore, e drejta për protestë dhe mbrojtja e grupeve të veçanta. Institucioni ndjek këto çështje përmes rekomandimeve konkrete drejt organeve përgjegjëse.
Takimi u pasua nga një vizitë në Ambasadën e Shqipërisë në Uashington dhe një takim me Ambasadorin Ervin Bushati, ku u diskutua perspektiva euro-atlantike e Shqipërisë.
Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbetet thelbësor për forcimin e institucionit, në mënyrë që të garantojë standardet më të larta të të drejtave të njeriut.