31 Janar 2023

Avokati I Popullit Dërgon Rekomandim Për Respektimin E Të Drejtave Të Qytetarëve Gjatë Procesit Penal


AVOKATI I POPULLIT DËRGON REKOMANDIM PËR RESPEKTIMIN E TË DREJTAVE TË QYTETARËVE GJATË PROCESIT PENAL

Nga ankesat e disa shtetasve të shqyrtuara nga institucioni i Avokatit të Popullit të cilat kanë pasur si objekt veprimet ose mosveprimet e parregullta të organeve të Prokurorisë është konstatuar problematika e bashkimit të procedimeve penale kur ka kallëzime të ndërsjella të palëve konkretisht ndërmjet të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Policisë së Burgjeve apo të Policisë Bashkiake dhe shtetasve nën hetim.

Sipas Raportit të CPT-së të bërë publik në datën 17.09.2019, pas vizitave në disa institucione të privimit të lirisë në Shqipëri, një përgjegjësi e tillë e dyfishtë mund të cenojë paanshmërinë e prokurorit në fjalë. Ndaj, Komiteti rekomandon që rastet e keqtrajtimit të mundshëm të policisë të hetohen nga prokurorë të cilët nuk kanë lidhje me hetimet penale kundër viktimave të pretenduara të keqtrajtuara.

Po ashtu, problematika të evidentuara janë mos njoftimi i qytetarëve nga organet e prokurorisë lidhur me kallëzimet e bëra për vepra penale të kryera në dëm të tyre apo cenimi i të drejtës për t’u informuar në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale kur kanë marrë dijeni për veprat penale të kryera.

Për sa më sipër Avokati i Popullit ka kërkuar nga Prokuroria marrjen e masave të nevojshme për përgatitjen, miratimin dhe dërgimin organeve të prokurorisë të juridiksionit të përgjithshëm të një udhëzimi për përmirësimin e punës së tyre për respektimin e të drejtave kushtetuese e ligjore të shtetasve gjatë procesit penal lidhur me këto problematika. Ky rekomandim u mirëprit dhe u pranua.