28 February 2018

Institucioni I Avokatit Të Popullit Angazhohet Të Nxisë Zgjidhjen E Ngërçit Në Zbatimin E Ligjit Të Arsimit Të Lartë


INSTITUCIONI I AVOKATIT TË POPULLIT ANGAZHOHET TË NXISË ZGJIDHJEN E NGËRÇIT NË ZBATIMIN E LIGJIT TË ARSIMIT TË LARTË

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur me iniciativë shqyrtimin e çështjes së mungesës së akteve nënligjore për ligjin e arsimit të lartë, situatë e cila ka shkaktuar problematika shqetësuese muajt e fundit, që nga vonesat e pagave të pedagogëve apo bllokimi i dhënies së gradave dhe titujve akademikë, etj.

Ndërhyrja e institucionit të Avokatit të Popullit, për të shqyrtuar problematikat që kanë lindur rreth ligjit nr. 80/2015 "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë", është e bazuar në ligjin nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit” (i ndryshuar), neni 13, ku sanksionohet se: “Avokati i Popullit fillon procedurën e shqyrtimit të çështjes kur vëren ose dyshon se ka ndodhur një shkelje e së drejtës, në bazë të ankesës apo të kërkesës së personit të interesuar ose të dëmtuar, si dhe me nismën e vet, për raste të veçanta të bëra publike”.

Referuar ligjit nr. 80/2015 "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Konkretisht Neni 133 i këtij ligji citon se: 1. Brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ministria përgjegjëse për arsimin miraton dhe bën publike listën e institucioneve të arsimit të lartë që plotësojnë kriteret për dhënien e titujve akademikë. 2. Deri në dhënien e gradave dhe titujve akademikë, sipas këtij ligji, gradat dhe titujt trajtohen sipas kuadrit ligjor ekzistues në fuqi. Komisioni i vlerësimit të titujve akademikë pushon së ekzistuari 1 vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Avokati i Popullit vlerëson se Ministria e Arsimit është në kundërshtim dhe tejkalim të afatit të përcaktuar 9 mujor për nxjerrjen e akteve nënligjore në respektim të nenit 133 te Ligjit nr. 80/2015. Konkretisht nuk ka ende asnjë akt nënligjor për çeljen e programeve të studimit për dhënien e gradave dhe titujve akademikë, ndërsa ky proces prej vitesh ka qënë i bllokuar duke u mohuar të drejtën qindra aplikantëve të ndjekin studimet pasuniversitare. Gjithashtu ka mungesa edhe të një numri të madh aktesh që rregullojnë organizimin e brendshëm të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Kjo situatë ka sjellë shumë problematika në institucionet e arsimit të lartë, problematika të bëra edhe publike që nga vonesa e pagave të stafit akademik, probleme administrative ndërmjet Bordit të Administrimit dhe Rektorit të Universitetit etj.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në përgjigje të “Kërkesës sonë për shpjegime” na informon me shkresën nr.579/1 dt. 20.02.2018 ndër të tjera si më poshtë vijon:

“Janë miratuar 71% e VKM-ve të detyrueshme për miratim të ligjit nr. 80/2015. Ndërkohë që vendimet e pamiratuara ende, janë përgatitur tashmë por janë në process diskutimi me institucionet e arsimit të lartë, grupet e interest dhe/ose me ministritë e linjës, duke qënë se project aktet që janë ende në proces janë komplekse dhe kanë nevojë për ekspertizë të fushave përkatëse, me qëllim dhënien e mundësisë për ezaurimin e cdo problematike që është hasur apo mund të pritet në praktikë. Rreth 51% e udhëzimeve të MARS janë miratuar dhe për pjesën tjetër të udhëzimeve që gjithashtu janë të draftuara, pritet vetëm miratimi i projektvendimeve që janë në process, që të miratohen nga ministry. Këto udhëzime janë planifikuar të miratohen brenda muajit shkurt, duke plotësuar të gjithë kuadrin nënligjor në zbatim të ligjit nr.80/2015….”.

Institucioni i Avokatit të Popullit, pas analizës së përgjigjes së dhënë nga MASR, konkludon se vonesat e këtij institucioni në nxjerrjen e akteve nënligjore për ligjin e arsimit të lartë, nuk janë të justifikueshme. Detyrimi ligjor për nxjerrjen e këtyre akteve nënligjore, përcaktonte një afat prej 9 muajsh ndërkohë që kanë kaluar rreth 2 vjet vonesa dhe zvarritje. Institucioni i Avokatit të Popullit, shpreh angazhimin për ta ndjekur këtë situatë dhe për të kërkuar deri në fund zbatimin e ligjit nga institucionet që e shkelin atë.