26 July 2018

Avokatja E Popullit Mori Pjesë Në Konferencën “Efektet E Reformës Në Sistemin E Drejtësisë”


AVOKATJA E POPULLIT MORI PJESË NË KONFERENCËN “EFEKTET E REFORMËS NË SISTEMIN E DREJTËSISË”

AVOKATJA E POPULLIT MORI PJESË NË KONFERENCËN “EFEKTET E REFORMËS NË SISTEMIN E DREJTËSISË”

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë sot në Konferencën "Efektet e Reformës në Sistemin e Drejtësisë", e ftuar në një panel juristësh, akademikësh, përfaqësuesish shtetërorë dhe të shoqërisë civile.

Kontributi i institucionit tw Avokatit tw Popullit nw lidhje me ecurinë e kësaj reforme si dhe përpjekja e përbashkët për të zgjidhur problemet me të cilat është shoqëruar reforma, ishin në fokusin e fjalës së Avokates së Popullit. Ndër të tjera, znj.Ballanca u shpreh:

"E pranova me shumë kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë takim, sepse tema mbi të cilën është fokusuar vëmendja e të gjithë shqiptarëve sot, është reforma në Drejtësi. 
Arsyet mund të jenë të ndryshme por qëllimi është i njëjtë: qytetarët kishin humbur besimin në sistemin e Drejtësisë! 
Pavarësisht faktit se ky nuk është i vetmi besim i humbur i qytetarëve shqiptarë - dhe mendoj se edhe për këtë kemi dakordësi - u zgjodh që së pari të nisej procedura apo terapia shock për këtë pushtet. 
Protokoll tërësisht eksperimental i ngjizur me një paragjykim të madh se reforma s’do t’ia dilte të ndryshonte në thelb sistemin, por do të ishte më shumë siç ka qenë ndoshta deri më tash çdo reformë në vend, një ripaketim e amballazhim i të njëjtit produkt pasi i është shtuar ndonjë përbërës i ri. 
Ka qenë kjo, mendoj, arsyeja pse reforma ka qenë kaq drastike dhe kaq e detajuar, pasi të tërë ligjbërësit janë përpjekur të mendojnë çdo gjë që ka shkuar keq në reformat e tjera dhe kanë luftuar me bindjen e shumëkujt se reforma s’do të prekte thelbin e statuskuosë që ishte krijuar në sistemin e drejtësisë, mungesën efektive të llogaridhënies, mungesën efektive të transparencës në procesin e gjykimeve, zgjidhjen me drejtësi të problemeve të qytetarëve. 
Jam e bindur gjithashtu se për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e këtij pushteti në role e pozicione të ndryshme në këto 25 e kusur vjet sistemi demokratik, kush si aktor kryesor apo kush si figurant (e këtu flas për veten), sistemi është më i mirë se 20 vite më parë, më profesional, shumë më transparent, por përsëri i dështuar. Ne kemi të drejtë të kemi pritshmëri të larta për jetën tonë, në shoqërinë ku jetojmë, e pritshmëritë tona të drejta nuk janë arritur nga sistemi i drejtësisë që ne kemi pasur.

Parë nga vite larg, mendoj se ndoshta ajo që solli një degradim të shumë aspekteve të shoqërisë sonë është se të dalësh nga një sistem që propagandohej si thellësisht moralist, ne duke kuptuar falsitetin e shoqërisë totalitare, e refuzuam dhe etiketuam moralin si një vlerë të parëndësishme të shoqërisë dhe nisëm të pranonim amoralen dhe më pas të paligjshmen si elementë anësorë e të parëndësishëm, duke vlerësuar veç paranë dhe pushtetin e duke pranuar kolektivisht mjerisht se s’kish rëndësi se si merrje pushtet e se si fitoje mirëqenie, mjaft të ishe vetë pjesë e grupit të privilegjuar. Pranuam vit pas viti, së pari ne si shoqëri këto fenomene, e më pas si u bënë të shoqërisë, u përvetësuan nga gjyqësori si një mënyrë e përditshme jetese! Duke qenë se shoqëria nuk i ndëshkonte më, edhe gjyqësori zgjodhi të përqafojë kulturën e pandëshkueshmërisë, si për veten e tij edhe për të tretët.

Pa pasur as ambicjen dhe as pretendimin se zotëroj të vërtetën absolute, mendoj se ne si shoqëri në përgjithësi dhe si pushtet gjyqësor në veçanti, humbëm rrugës ndjekjen e parimit të drejtësisë shtetërore dhe shoqërore, lexonim vetëm gërmën e ligjit për të gjetur zgjidhjen pa pasur parasysh parimin e përgjithshëm, frymën e Kushtetutës së pari dhe më pas qëllimet thelbesore për të cilat ne si shoqëri i krijojmë këto rregulla e zbatimin e rregullt të të cilave duhet ta garantojë Gjyqësori. Gjyqësori ka vetëm një pjesë të këtij puzzle të madh që është shteti: ligjet duhet të bëhen të drejta e të mira nga parlamenti, të zbatohen në mënyrë të drejtë e më të mirë nga ekzekutivi, e më pas nëse ky i fundit ka dështuar të zbatojë si duhet këto ligje, vjen veprimtaria garantuese e rregulluese e gjyqësorit.

E di që sa me sipër nuk përbën veçse një fillim leksioni në vitin e parë të Fakultetit të Drejtësisë, por e ndjej se edhe ne sot, si shoqëri, vazhdojmë të ndihemi të ndriçuar nëse gjejmë një mundësi për të zgjidhur hallin e momentit, pa kuptuar arsyen thelbësore të parashikimit të asaj të drejtë apo kompetence nga Kushtetuta dhe ligji, e në vend që të miratojmë rregulla të detyrueshëm për të tërë duke ushtruar detyren e ligjvënësit, e përdorim këtë kompetencë për të miratuar kontrata vetëm për dikë. Në vend që të japim drejtësi për qytetarin, zgjedhim të zbatojmë ligjin në një mënyrë që as vetë legjislatorit nuk do ta kishte parashikuar dhe i japim të drejtë shtetit, në vend që të dënojmë me burg shkelësin e ligjit, çojme në burg denoncuesin!

Në këtë realitet u ideua dhe po zbatohet Reforma në sistemin e drejtësisë si një «e keqe e domosdoshme», pasi ajo mëton të reformojë tërësisht dhe thelbësisht çdo gjë që ne kemi besuar deri më tash në lidhje me sistemin e drejtësisë, për të bërë të mundur rifitimin e besimit të qytetarit te Sistemi i Drejtësisë, por edhe ruajtjen e këtij besimi. Personalisht mendoj që të fitosh besimin është shumë e thjeshtë, ndërsa ruajtja e këtij besimi është detyre thelbësore e atyre që janë aktorë e faktorë të kësaj reforme dhe përfituesit e saj.

Personalisht - por sugjeroj - edhe kolektivisht, si shoqëri, si komunitet njerëzish të interesuar për zhvillimin dhe ecjen përpara të këtij vendi ku kemi zgjedhur të jetojmë e të rrisim fëmijët, nuk duhet të lodhemi kurrë së menduari e rimenduari mbi çdo punë tonën, pavarësisht nëse e konsiderojmë të bërë e të vulosur.

Çdo proces kushtëzohet prej dinamikës së vet e nëse nuk e ka këtë karakteristikë, pra dinamikën, shndërrimin, zhvillimin dhe përsosjen, reflektimin mbi ato qe nuk kane vajtur si duhet, vullnetin për të pranuar tjetrin edhe nëse nuk mendon tërësisht si ai, atëherë ai nuk është një proces por diktat.

Ndaj e përsëris që kurrsesi nuk duhet të lodhemi së shqyrtuari e rishqyrtuari mbi gjithçka që përbën rendin e gjërave që rregullojnë jetën e një vendi, pasi vetëm ashtu do të tregojmë respektin që qytetarët tanë meritojnë dhe do të synojmë drejt përsosjes praktike që aspirojnë vendimet teorike.

Avokati i Popullit, si një institucion i pavarur, i parashikuar shprehimisht në Kushtetutë për mbrojtjen, parandalimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe promovimin e tyre, e ka vlerësuar Reformën në Drejtësi si kryefjalën e reformave për ecurinë dhe zhvillimin cilësor demokratik të jetës shoqërore, si dhe të vetë demokracisë në Shqipëri.

Duke vlerësuar lidhjen e natyrshme të këtyre reformave me të drejtën për drejtesi, mirëqeverisje, si dhe me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendin tonë, Avokati i Popullit ka konsideruar prioritet maksimal në veprimtarinë e tij, mbarëvajtjen e proceseve që legjislacioni në fuqi për zbatimin e Reformës në Drejtësi, i ngarkon atij si përgjegjësi ligjore.

Pas përfundimit me sukses të procesit për verifikimin dhe listimin e kandidatëve që shprehën interesin për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, konkretisht për Anëtar të Komisionit; Gjyqtar i Kolegjit të Apelimit, si dhe Komisionerit Publik, Avokati i Popullit, institucioni yne vazhdoi me procesin e verifikimit të kritereve formale ligjore për kandidatët nga rradhët e avokatisë, e me pas edhe për kandidatët nga rradhët e Shoqërisë Civile, që shprehën interesin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Gjithashtu të vetëdijshëm për rëndësinë e proceseve që ndërthur kjo reformë dhe rolin që Avokati i Popullit mund të luajë për transparencën dhe respektimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, Avokati i Popullit në përputhje me nenin 284 pika 6 të ligjit nr. 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, ka monitoruar procesin e zgjedhjes së Anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të zhvilluar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Mbi bazën e këtij monitorimi, Avokati i Popullit hartoi dhe bëri publik raportin e monitorimit për procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Avokati i Popullit mbetet i mendimit se pa një sistem drejtësie të pavarur, eficent dhe të drejtë, Shqipëria nuk do të ndërtojë dot një ekonomi të zhvilluar dhe prodhuese e cila garanton mirëqenie, shanse të barabarta dhe një jetë të sigurtë për qytetarët e saj në Shtetin e së Drejtës.

Ndërkohë, në fazën aktuale të fillimit të funksionimit të institucioneve të reja të Drejtësisë, Avokati i Popullit ka vazhduar detyrën e tij kushtetuese dhe kjo detyrë, siç e permenda më parë, ka të bëjë me vrojtimin e kujdesshëm që të drejtat e qytetarëve në këtë vend të respektohen dhe cdo institucion të zbatoje me korrektese ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Në këtë këndvështrim, Avokati i Popullit, është në të drejtën e vet kushtetuese të monitorojë dhe ndjekë të gjitha seancat e Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, Kolegjit te Apelimit, ashtu si të çdo organi tjetër të administratës publike. Ne vlerësojmë se jemi komplementarë me qëllimin final të reformës në drejtësi, që e theksojmë dhe e ritheksojmë se është: ringritja e besimit të qytetarëve në drejtësi.

E që ky besim të rikthehet, ne gjykojmë se është e nevojshme që vetë institucionet e dala nga reforma në drejtësi, të jenë të interesuara që pavarësisht superfuqive të cilat u janë lënë në dorë, të ruajnë veten nga abuzimi me to.

Mbi të gjitha është e nevojshme që ato të lejojnë edhe institucionet të tjera të pavarura, apo Shoqërine Civile, që t’i ruajnë e t’i ndihmojnë të mbrohen nga parregullsi, që ato vetë mund të bëjnë, mbase edhe në mënyrë të pavullnetshme.

Në këtë fazë të zbatimit të reformës në drejtësi, ndoshta është mirë që të gjithë të reflektojmë dhe ashtu siç reforma po bën një rivlerësim të të gjithë personelit të drejtësisë në vendin tonë, me të njëjtët skrupuj dhe kërkesa të bëjmë shoqërisht edhe ne një rivlerësim të performancës së vetë reformës.

A do të kishim mundur të bënim diçka më mirë teksa e konceptonim këtë reformë? A mund të ishin parashikuar ngërçet institucionale të krijuara për shkak të saj? A mund të korrigjojmë diçka tani ? Dhe në fund të fundit a është i pranueshëm për t’u paguar çmimi i problemeve të natyrshme që kjo reformë në zbatim e sipër po krijon, me benefitet që priten prej saj ?

Pergjigjet nuk i kam, e ndoshta nuk janë, por ajo që dua të theksoj është: të bëjmë çdo përpjekje të mundshme që reforma të mos humbasë besimin e qytetarëve, ajo të ruajë sensin e drejtësisë dhe të mos harrojë qëllimin (të ligjshëm e të moralshëm) për të cilin ajo u bë.

Personalisht, jam e mendimit se duhet të vlerësojmë edhe ngarkesën e punës që kanë stafet teknike të organeve të reja të vettingut, të tregohemi mirëkuptues të problemeve që kjo reformë mund të ketë krijuar dhe të investojmë sa më shumë besim tek ajo.

Nisur nga ndjekja e ritmit të deritanishëm të procesit, na rezulton se për kryerjen në kushte normale të punes dhe për përfundimin në një kohë optimale, përveç besimit njëkohësisht këtyre organeve u duhen dhënë edhe kushte sa më normale pune, çka nënkupton rritjen dhe forcimin e kapaciteteve të këtyre institucioneve.

Rritja e numrit të nëpunësve, trajnimi i tyre, apo edhe pagesa për punën e kryer jashtë orarit zyrtar, janë çështje që duhet të jenë në axhendën prioritare të pushtetit ekzekutiv dhe Parlamentit.

Avokati i Popullit gjeti bashkëpunim dhe mirëkuptim të menjëhershëm nga ana e Komisionit të Pavarur te Kualifikimit në rastin e parë që u ngrit shqetësimi ynë në lidhje me nevojën e ruajtjes së të drejtave të fëmijëve të gjykatësve dhe prokurorëve nga diskriminimi apo trajtimi paragjykues, gjatë praktikave eventuale të verifikimit të pasurive të prindërve të tyre.

Ky qëndrim është për t’u përshëndetur dhe meriton gjithë respektin tonë. Nga ana tjetër, gjatë procesit të monitorimit të procesit ku ka hyrë tashmë vettingu, kemi konstatuar edhe raste, të cilat mund te trajtoheshin në mënyra të ndryshme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Kështu kemi konstatuar se:

- Procesi ka mjaftueshëm probleme proceduriale në lidhje me të drejtën e personit të vetuar për t’u njohur me fazën në të cilën ndodhet procedura për vettimin e tij si dhe me vendimet e ndërmjetme që janë marrë në lidhje me të; 
- Nuk është i qartë, e si rezultat jo transparent, kriteri mbi të cilin vendoset nëse KPK do të kryejë hetim të thelluar e të pavarur për subjektet e vetuara. Pavarësisht se kjo është një e drejtë e KPK që konsiderohet prej tyre se i është dhënë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përsëri kjo vendimarrje duhet t’i nënshtrohet disa kritereve për të shmangur qoftë në prima face mundësinë e abuzivizmit, por edhe faktin se arsyetimi i vendimmarrjeve është një standart i mirëpercaktuar e i gjithëpranuar jo vetëm per vendimet gjyqësore por edhe ato administrative. 
- Më tej, për disa subjekte, vlerësimi nuk është bërë për të 3 komponentët e parashikuar nga ligji, por vetëm për njërin, atë pasuror.
- Në relacionet e paraqitura në seancat dëgjimore në disa raste pretendimet, apo kërkesat e bëra nga subjektet e rivlerësimit, nuk janë marrë fare në shqyrtim gjatë gjithë procesit; ne gjykojmë se është një element shumë i rëndësishëm i një procesi të rregullt ligjor mundësi effektive për të bërë kërkesa e për të debatuar provat apo gjetjet dhe se mosmarrja e tyre parasysh duhet të bëhet për shkaqe të cilat duhet të jenë të ligjshme së pari dhe së dyti të qarta për subjektin. Kjo qartësi mund të fitohet vetëm nëse ka arsyetim për vendimmarrjet. 
- Gjatë fazës së komunikimit me shkrim ndërmjet KPK dhe subjektit të rivlerësimit, nuk arrihet në konkluzion për përgjigjet e pyetjeve të bëra, por kalohet direkt në seancë publike, cdka e bën formale seancën dëgjimore.
- Nuk ka një shtjellim të standardit të barrës së provës për të mos thënë që në shumë raste që aplikimi është tërësisht inovativ. 
- Nga përmbajtja e vendimeve rezulton se nuk janë ndjekur standarde të njëjta dhe për fenomene të njëjta, për subjekte të ndryshme, nuk janë trajtuar njelloj.
- Po kështu edhe cilësia e vendimeve, lë vend për përmirësime.

Ende jemi në pritje të vendimmarrjeve të Komisionit të Apelit dhe urojmë që ato të vendosin disa standarde duke sqaruar parimin dhe më pas aplikuar ato në çdo rast.
Praktika po tregon edhe çështje të tjera që gjithashtu meritojnë të diskutohen, kështu psh:
- Dje Kuvendi shpalli vakant një vend të një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, pa pritur shqyrtimin e ankimit të tij ne Kolegjin e Apelimit. 
- Gjyqtarë ëe gjykatave të ndryshme, të shkarkuar nga KPK, janë pezulluar nga detyra, por për dosjet e tyre, ende nuk ka një procedurë.
- Nuk është e përcaktuar qartë se, në cilat raste do të aktivizohen anetarët zëvendësues në organet e vettingut, do të bëhen vetëm në rastet e largimit përfundimtar të Komisionerëve, apo edhe për periudha afatgjata të mungesës së tyre (psh në rastin e lejes së lindjes)?
- Pyetja tjetër shumë e rëndësishme që më lindi është a do të vetohen kandidatët për Gjykatë të Lartë të cilët vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë para se të marrin funksionin për popullin jam e sigurt që po, por për të ligjin s’kam siguri. Procesi i vettingut nuk është një proces të cilit do t’i nënshtrohen gjyqtarët apo edhe të tjerë në perpetum mobile, ai është një proces i jashtëzakonshëm dhe për këtë nuk është menduar të aplikohet vijimësi. Por nga ana tjetër nëse një pjesë të mirë të gjyqtarëve e prokurorëve po i vetojmë për pasuri e sjellje të tyre dhe të bashkëshortëve apo personave të lidhur edhe para periudhës në të cilën ata kanë qenë në sistemin e drejtesisë, përse anëtarët e rinj që vijnë nga jashtë sistemit mund t’i lejojnë vetes një standard tjetër?

Por mbi të gjitha, ajo që ne konstatojmë si çështje shumë të rëndësishme, është gjendja e krijuar si rrjedhojë e pasojave te procesit, ku gjykatat më të larta po kthehen në jofunksionale. Kjo situatë ka nevojë të domosdoshme për ndryshime ligjore dhe duke pasur parasysh rëndësinë e procesit, ne vlerësojmë se këto ndryshime ligjore duhen bërë me bashkëpunimin dhe konsesusin e të gjitha palëve, pasi diskutimet dhe dialogu janë ndër mënyrat më të mira për zgjidhjen e problemeve.

Nuk mund të le pa përmendur edhe rolin e rëndësishëm që ka dhënë dhe vazhdon të japë faktori ndërkombëtar në reformën në drejtësi, veçanërisht Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pa harruar edhe mjaft organizata të tjera ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë, apo edhe ambasada të ndryshme. Gjithsesi pavarësisht ndihmës së çmuar, në fund të procesit, përfituesit e drejtëpërdrejtë të kësaj reforme, do të jemi ne shqiptarët, ndaj duhet më shumë angazhim nga secili prej nesh.

Në përfundim, do të doja t’i rikthehesha edhe një herë fabulës çelëse në këtë fjalim, kur përmenda nevojën që syri i vazhdueshëm monitorues, nuk i bën veçse mirë çdo procesi e reforme të cilat përvoja i përmirëson.

Të kryesh një punë nuk do të thotë thjesht ta zbatosh atë në mënyrë mekanike dhe kjo është ajo që e dallon një qenie apo shoqëri njerëzore nga një makineri apo një qytetërim robotësh. Të ngresh pyetje e të shqyrtosh me vëmendje progresin e arritur, është gjithashtu pjesë e procesit të një pune dhe një pune të bërë mirë madje.

Uroj që të gjithë të kenë bonsensin dhe kurajon për ta bërë këtë në vazhdimësi edhe në rastin e reformës në drejtësi. Të kësaj reforme që është tepër e rëndësishme për t’iu privuar shansi i përmirësimit gjatë zbatimit.

Ju faleminderit".