27 December 2018

Avokati I Popullit Shpreh Shqetësimin Për Kufizimin E Të Drejtës Së Qytetarëve Për Tubime Paqësore.


Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për kufizimin e të drejtës së qytetarëve për tubime paqësore.

Institucioni i Avokatit të Popullit i ka tërhequr vëmendjen Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë, se ajo nuk mund të ndalojë zhvillimin e protestës së disa qytetarëve të paralajmëruar për datën 28.12.2018 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Pas njoftimeve se Policia e Tiranës ka ndaluar zhvillimin e një tubimi paqësor të thirrur nga disa qytetarë, Avokati i Popullit ka filluar një hetim me iniciativë për këtë rast. 
Sipas vlerësimeve paraprake të institucionit, nuk qëndron justifikimi i Policisë vendore për ndalimin e këtij tubimi me arsyetimin se: “pengohet qarkullimi i automjeteve të urgjencës, qarkullimi normal i automjeteve të transportit publik dhe privat dhe ndërpret veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, të institucioneve publike dhe jo publike në përmbushjen e detyrimeve ligjore”.

Në një kërkesë adresuar Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin se ndalimi i këtij tubimi përbën një interpretim të gabuar të frymës së ligjit për tubimet.

“Rregullat proceduriale që disiplinojnë apo kushtëzojnë ushtrimin e kësaj të drejte, janë të përcaktuara në mënyrë të shprehur në ligjin nr.8773, datë 23.4.2001 “Për Tubimet”.

Theksojmë se e drejta e tubimit, që prej atij viti, nuk i nënshtrohet asnjë formaliteti për miratim nga organet e policisë. Për ushtrimin e kësaj të drejte kërkohet vetëm bërja e njoftimit në një kohë të përcaktuar i organeve të policisë, ku të pasqyrohen disa të dhëna që lidhen me zbatimin e detyrës së saj si garantuese e ushtrimit të kësaj të drejte, duke i dhënë kohë për të marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e tubimit”, shkruhet në dokumentin që Avokati i Popullit i ka dërguar Drejtorisë së Policisë.

Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin se e drejta për tubime e qytetarëve mund të kufizohet në mënyrë të pajustifikuar nëse autoritetet e ngarkuara nga ligji me detyrën të sigurojnë mbarëvajtjen e protestave, do të kërkojnë në çdo rast pretekste për të mos e lejuar zhvillimin e tyre.

Në këtë frymë e cila është edhe fryma e ligjit, Avokati i Popullit u ka kërkuar institucioneve përkatëse që të garantojnë në çdo rast ushtrimin e të drejtës qytetare për tubime paqësore, duke mos e tejkaluar në asnjë moment kompetencën e tyre që ligji e përcakton si thjesht garantuese e ushtrimit të kësaj të drejte civile.