2 Dhjetor 2021

Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Takimin Rajonal Të Institucioneve Të Të Drejtave Të Njeriut Në Kosovë


AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESË NË TAKIMIN RAJONAL TË INSTITUCIONEVE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT NË KOSOVË

Me ftesë nga Avokati i Popullit të Kosovës Naim Qelaj, Avokatja e Popullit të Shqipërisë Erinda Ballanca mori pjesë në takimin e katërt rajonal në mes Avokatëve të Popullit dhe institucioneve të tjera të të Drejtave të njeriut.

Përveç Avokatëve të Popullit nga Kosova dhe Shqipëria, në Takim ishin pjesëmarrës edhe Naser Ziberi, Avokat i Popullit nga Maqedonia e Veriut, si dhe Komisioneri për Mbrojtje nga Diskriminimi në Shqipëri, Robert Gajda.

Në takim Avokatët e Popullit dhe Komisionieri diskutuan për punën e tyre gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, me theks të veçantë në sfidat rreth masave të qeverive për vaksinimin e popullatës dhe balancimi i tyre me standardet për të drejtat e njeriut.

Po ashtu, temë diskutimi ishte edhe pavarësia e institucioneve kombëtare për të drejtat e njeriut dhe ndërveprimi i tyre me parlamentin.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut diskutuan edhe për planet dhe fushate specifike të bashkëpunimit në të ardhmen.

Po ashtu, ata gjatë ditës patën takime me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryetaren e Gjykatës Kushtetutese Gresa Caka – Nimani. Në këto takime u diskutua gjendja e përgjithshme e të drejtave të njeriut në shtetet respektive dhe puna në promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.