27 Tetor 2021

Avokati I Popullit Viziton Spitalin E Krujës Për T’U Njohur Me Gjendjen E Qytetarëve Me Simptoma Helmimi


AVOKATI I POPULLIT VIZITON SPITALIN E KRUJËS PËR T’U NJOHUR ME GJENDJEN E QYTETARËVE ME SIMPTOMA HELMIMI

Pas raportimeve për një numër të madh qytetarësh të hospitalizuar me simptoma të dyshuara nga helmimi prej ujit të pijshëm në qytetin e Krujës, Avokati i Popullit kreu sot më 27.10.2021 një vizitë në Spitalin Klinik “Stefan Gjoni” në këtë qytet, për monitorimin e gjendjes së pacientëve që kanë marrë shërbimin atje.

Takimi paraprak u zhvillua me drejtoren e këtij spitali Yllka Sheta, nga e cila u raportua se, të gjithë personave ju është dhënë dhe po u jepet shërbimi i duhur shëndetësor.

Sikurse u referua prej drejtuesve të Spitalit, prej datës 24 Tetor 2021 e deri më 27 Tetor në këtë spital kishin marrë shërbimin rreth 541 pacientë sipas datave të mëposhtme:

42 pacientë më datë 24 Tetor;

206 pacientë më datë 25 Tetor;

236 pacientë më datë 26 Tetor dhe

57 pacientë më datë 27 Tetor.

Nga informacionet e marra prej personave që ishin duke u trajtuar në mënyrë ambulatore na u bë me dije se simptomat e tyre përkonin me dhembje koke, dhembje barku, të përziera, si dhe në disa raste edhe temperaturë. Qytetarët e sëmurë janë të bindur se kjo situatë u është shkaktuar nga konsumimi i ujit.

Qytetarët kanë marrë shërbimin e nevojshëm, janë vizituar, janë konsultuar dhe gjithashtu kanë marrë shërbime sipas protokolleve të mjekimit. U konfirmua se edhe pacientë të tjerë të cilët janë duke u trajtuar pranë shërbimit të Urgjencës dhe gjithashtu në disa pavionë.

Sipas drejtuesve, spitali ka punuar me kapacitet të plotë në të tre turnet dhe po ashtu sipas tyre, medikamentet nuk kanë munguar në asnjë moment.

Avokati i Popullit do të vazhdojë të monitorojë me vëmendje situatën dhe i nxit qytetarët që të sinjalizojnë apo raportojnë në çdo rast kur mendojnë se e drejta e tyre për shërbim cilësor mjekësor nuk plotësohet duke vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e tyre.