10 Dhjetor 2020

Avokati I Popullit Reagon Ndaj Ngjarjeve Të Fundit Në Kryeqytet


AVOKATI I POPULLIT REAGON NDAJ NGJARJEVE TË FUNDIT NË KRYEQYTET

AVOKATI I POPULLIT REAGON NDAJ NGJARJEVE TË FUNDIT NË KRYEQYTET

Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së djeshme dhe sotme ku janë shënuar përplasje midis një numri të madh qytetarësh që protestojnë për vrasjen e të riut Klodian Rasha dhe forcave të rendit.

Ekipe të Avokatit të Popullit kanë qënë dhe ndodhen në terren për të inspektuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi.

Në këtë situatë, institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi nga ana e qytetarëve por edhe nga ana e Policisë së Shtetit të garantohet e drejta e qytetarëve pēr të protestuar paqësisht.

E drejta e çdo qytetari për të protestuar në përputhhje me ligjin nuk mund të cënohet vetëm për faktin se të tjerë nuk e ushtrojnë atë në përputhje me parashikimet ligjore. Përsa Policia ka të drejtë të mos lejojë e parandalojë veprimet e dhunshme, ato duhet të jenë të drejtuara vetëm ndaj dhunës.

Indinjata e qytetarëve për vrasjen e të riut 25 vjeçar është e përligjur megjithatë, brutaliteti, apo dhe shkatërrimi nuk janë të pranueshme.

Avokati i Popullit bën thirrje për qetësi dhe të gjenden rrugët alternative në mënyrë që të mënjanohet konfliktet.

U urojmë shërim të shpejtë protestuesve dhe policëve të plagosur në krye të detyrës dhe bëjmë thirrje për të shmangur ekspozimin dhe pjesëmarrjen e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj situatave të rrezikshme.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës.

Avokati i Popullit mbetet në ndjekje konstante të situatës dhe do të përditësojë qëndrimet e tij edhe në vijim, sikurse që nga dita e parë.