29 Maj 2020

Avokati I Popullit I Shqetesuar Nga Qendrimet E Drejtorit Te Policise Se Shtetit


AVOKATI I POPULLIT I SHQETESUAR NGA QENDRIMET E DREJTORIT TE POLICISE SE SHTETIT

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin lidhur me qëndrimet joprofesionale dhe degraduese të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ardi Veliu, shprehur në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e RSH-së, për të justifikuar veprimet e dhunshme të punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj një minoreni duke denigruar nënën dhe origjinën e pretenduar familjare të fëmijës së dhunuar.

Kjo deklaratë dhe shprehja e ndjesës publike pa veprim konkret, thellësisht joprofesionale dhe aspak në përputhje me Kodin e Etikës dhe cilësitë që duhet të zotërojë një autoritet publik nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë fytyra e shtetit në komunitet dhe publik, sikundër cilësohet figura e policit, ruajtësit të rendit e sigurisë publike.

Avokati i Popullit kërkon nga Ministri i Brendshëm marrjen e të gjitha masave për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të garantuar një hetim administrativ të pavarur dhe transparent për ngjarjen e ndodhur, jo vetëm në drejtim të respektimit, garantimit e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, por edhe në drejtim të mungesës së përgjegjshmërisë në procesin e llogaridhënies karshi organit më të lartë ligjvënës, Kuvendit të Shqipërisë.