7 Prill 2020

Avokati I Popullit Ngre Zërin Për Rrezikun E Intensifikimit Të Dhunës Ndaj Grave Në Kushtet E Izolimit Të Imponuar Nga Covid-19


AVOKATI I POPULLIT NGRE ZËRIN PËR RREZIKUN E INTENSIFIKIMIT TË DHUNËS NDAJ GRAVE NË KUSHTET E IZOLIMIT TË IMPONUAR NGA COVID-19

Institucioni i Avokatit të Popullit, në ushtrim të mandatit të tij kushtetues, për parandalimin e shkeljes, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në situatën kritike të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e Covid-19, po ndjek nga afër dhe po monitoron situatën e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe masat e marra nga autoritetet përgjegjëse, për të garantuar një jetesë normale, brenda kushteve të vetëizolimit.

Distancimi i domosdoshëm shoqëror si objektiv, i zbatuar nëpërmjet vetëizolimit në shtëpi, padyshim që pritet të përkeqësojë problemin tashmë alarmues të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Mundësia që gratë të jetojnë në marrëdhënie abuzive dhe fëmijët e tyre të ekspozohen ndaj dhunës, rritet ndjeshëm, në kushtet e vetëizolimit dhe qëndrimit në të njëjtat mjedise, të dhunuesve dhe viktimave të dhunës.

Dhunuesit, mund të përdorin periudhën e vetëizolimit, në funksion të forcimit të kontrollit të tyre mbi partneret, (nëpërmjet ushtrimit të të gjitha formave të dhunës fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike etj), si edhe të kufizojnë aftësinë e mundësinë e tyre për të denoncuar dhunën, e për pasojë të kenë akses në shërbime të ofruara nga autoritetet shtetërore e organizatat e shoqërisë civile për mbështetjen e tyre.

Gjithashtu, gratë dhe familjet e tyre po ballafaqohen sot, në mënyrë të drejtëpèrdrejtë, edhe me pasojat ekonomike që gjeneron situata e pandemisë, pasoja këto që përshkallëzohen deri në humbje të mundshme të vendit të punës për to dhe pjesëtarët e familjes së tyre.

Mungesa e veprimtarisë ekonomike të familjes, veçanërisht humbja e vendit të punës së grave (shumë prej të cilave punojnë në të ashtuquajturën "ekonomi e zezë”, si punëtore shtëpie, kujdestare fëmijësh apo kujdestare për të moshuarit), zvogëlon aftësinë e tyre për të përmbushur nevojat themelore e bazike të familjes, duke sjellë detyrimisht rritje të nivelit të tensionit brenda familjeve, i cili krijon premisat e duhura për konflikte që mund të degradojnë në dhunë.

Në këto kushte, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje grave dhe vajzave, si dhe pjesëtarëve të familjeve te tyre, të denoncojnë çdo episod të ushtrimit të dhunës në familje, në numrat pa pagesë, të shfaqur këtu më poshtë:

- Linja Kombëtare për viktimat e dhunës në familje: 116, 117

- Policia e Shtetit: 129 dhe 112

- Qendra Lilium për rastet e emergjencës të dhunës seksuale: 0693079598

- Institucioni i Avokatit të Popullit: 0689034648

Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson punen e strukturave përgjegjëse shtetërore, veçanërisht atë të Policisë së Shtetit, për t'iu përgjigjur me angazhim serioz institucional rasteve të raportuara të dhunës në familje, por nxit dhe inkurajon këta të fundit që të kryejnë një vlerësim sa më efektiv të rastit të raportuar të dhunës dhe të marrin masa konkrete për të siguruar Urdhërat Paraprak të Mbrojtjes së Menjëhershme dhe Urdhërat e Mbrojtjes për viktimat e dhunës.

Institucioni i Avokatit të Popullit, sjell në vëmendje të institucioneve përgjegjëse, anëtare të Mekanizmit të Koordinuar kundër Dhunës në Familje, që të jenë në gatishmëri të lartë e në funksionalitet të plotë, duke vijuar me menaxhimin e çdo rasti dhune të referuar, në funksion të garantimit të një mbrojtje efektive për viktimat e dhunës. Viktimat e dhunës kanë nevojë për mbrojtje të shtuar në këtë periudhë të jashtëzakonshme dhe është detyrë e autoriteteve përgjegjëse shtetërore të sigurojnë që gratë dhe vajzat të mbahen të sigurta nga abuzuesit dhe dhunuesit.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit, inkurajon edhe njëherë organizatat e shoqërisë civile, që të vijojnë të mbështesin viktimat e dhunës, qoftë me këshillimet online apo shërbimi të cdo natyre tjetër që ato ofrojnë, duke e vlerësuar ofrimin e këtyre shërbime si shumë të rëndësishme në këtë periudhë vetëizolimi.

Së fundmi, Institucioni i Avokatit të Popullit, zotohet të intensifikojë angazhimin e tij institucional, duke bashkërenduar punën me strukturat përgjegjëse shtetërore, në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave.