Avokati I Popullit Kërkon Inspektimin Urgjent Për Fëmijët Nën Moshë Që Punojnë Në Një Kantier Në Elbasan
Në vijim të një rasti të publikuar në median sociale, të dy të miturve që punojnë në ndërtim, në një subjekt privat, Avokati i Popullit ka kërkuar nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës inspektimin e subjektit dhe marrjen e masave për mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë.
Punësimi i të miturve rregullohet në mënyrë strikte nga legjislacioni i Punës dhe nga detyrimet e Shqipërisë sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit duhet të veprojnë me urgjencën që kërkon kjo çështje dhe Avokati i Popullit pret që ato ta bëjnë këtë.
Avokati i Popullit do të monitorojë nëse autoritetet përgjegjëse i kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore dhe do të informojë publikun mbi konkluzionet e tij.
Kjo çështje sjell në vëmendje nevojën që Kuvendi të miratojë ligjin e ri për Avokatin e Popullit, duke e lejuar atë të hetojë edhe sektorin privat, ku shkelen të drejtat e qytetarëve.