Avokati I Popullit Prezantoi Studimin "Gjendja E Të Drejtave Të Pakicave Kombëtare Në Shqipëri"
Avokati i Popullit, Endrit Shabani dhe komisionerja Vilma Shurdha, prezantuan sot studimin "Gjendja e të Drejtave të Pakicave Kombëtare në Shqipëri", realizuar me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian. Në fjalën e tij, Z. Shabani u ndal te distanca mes njohjes ligjore të pakicave kombëtare dhe mënyrës se si këto të drejta jetohen çdo ditë nga qytetarët e këtyre komuniteteve.
Sipas tij, miratimi i Ligjit nr. 96/2017 për mbrojtjen e pakicave kombëtare ishte një hap i rëndësishëm, por njohja në letër është fillimi i punës, jo fundi i saj.
"Asimilimi nuk vjen gjithmonë si politikë. Më shpesh vjen si mospërfillje",- u shpreh Shabani.
Avokati i Popullit theksoi se mbledhja e evidencës nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga vetë komunitetet, për çështje që institucionet publike shpesh nuk i shohin, është në vetvete një gjetje për shtetin.
Mbi këtë bazë ai mori dy angazhime: që raporti i ardhshëm vjetor të përmbajë një kapitull të strukturuar mbi të drejtat e pakicave kombëtare, duke integruar edhe raportet e shoqërisë civile; dhe që të hapë zyra në pranë komuniteteve ku jetojnë pakicat kombëtare.
Ky aktivitet u organizua nga Seksioni i Përgjithshëm i Avokatit të Popullit, në kuadër të veprimit "Përmirësimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri", pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Mekanizmi Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".