28 Nëntor 2020

Avokati I Popullit Uron Për Festat E 28-29 Nëntorit


AVOKATI I POPULLIT URON PËR FESTAT E 28-29 NËNTORIT

Institucioni i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë uron qytetarët tanë me rastin e dy ditëve të shënuara historike: 28 Nëntorit, ditës që përkujton shpalljen e pavarësisë së vendit tonë më 1912 pas pesë shekujsh robëri nën sundimin osman dhe 29 Nëntorin i cili shënon ditën e Çlirimit të vendit nga pushtimi nazist më 1944.

Këto dy data dhe kujtesa që na lidh me to, mbartin në vetvete dy premtime ende të pa-përmbushura plotësisht nga ana e pushteteve që kanë udhëhequr shtetin tonë nga 1912 e deri më sot.

Projekti i madh i Rilindjes Kombëtare i cili kulmoi me shpalljen e Pavarësisë më 1912, përmblidhte vizionin e shumë intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë për ndërtimin e një shteti të drejtësisë, punës dhe zhvillimit. Sot pas 108 vjetësh, kjo aspiratë mbetet ende një qëllim për shoqërinë ku jetojmë.

Nga ana tjetër, sakrifica e mijëra të rinjve shqiptarë të cilët u angazhuan në lëvizjen e madhe të rezistencës antifashiste gjatë luftës së dytë botërore, lëvizje e cila u finalizua me çlirimin e vendit më 29 Nëntor 1944, është edhe ajo gjithashtu ende një ëndërr e paplotësuar.

Me shpresën dhe urimin që nëntorët e ardhshëm të sjellin për shqiptarët atë për të cilën luftuan dhe ëndërruan brezat që kaluan, përsërisim edhe një herë urimin: Gëzuar 28-29 Nëntorin!