Zjarri Tek Komplesi “Arlis”, Avokati I Popullit Shkresë Bashkisë Tiranë: Jepni Bonus Qiraje Për Familjet E Prekura
Institucioni i Avokatit të Popullit i është drejtuar sot Bashkisë Tiranë, me një shkresë përmes të cilës kërkon garantimin e strehimit të përshtatshëm për të gjithë banorët e prekur nga zjarri në kompleksin "Arlis".
Në letër citohet se “fokusi më emergjent në trajtimin e kësaj çështjeje ka të bëjë me të drejtën për strehim si një prej të drejtave më të rëndësishme të njeriut, të afirmuar në një numër të konsiderueshëm të instrumentave të së drejtës ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar dhe si një e drejtë, që lidhet drejtpërdrejtë me të drejtën për jetën dhe shëndetin”.
Konkretisht, Avokati i Popullit, kërkon nga kjo njësi e qeverisjes vendore, trajtimin e familjeve të ngelura të pastreha, me bonus qiraje.
“Familjet e mbetura të pastreha nga zjarri i rënë në pallatin e kompleksit "Arlis", vlerësojmë se duhet të trajtohen në mënyrë të menjëhershme me një nga programet e strehimit social, më të përshtatshëm, të parashikuar në nenin 11, të ligjit nr. 22/2018.
Më konkretisht, përfitimi i bonusit të qirasë për këto familje derisa atyre t’i sigurohet strehimi i përshtatshëm përmes meremetimit të banesave, do të ishte zgjidhja e duhur dhe koherente për vetë zhvillimet që lidhen me këtë rast”,- thuhet ndër të tjera në letër.
Letra e plotë:
Lënda: Për problematikën e krijuar për banorët, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga zjarri i rënë në kompleksin e pallateve “Arlis”, në zonën në afërsi të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
Drejtuar: Bashkisë Tiranë Tiranë
Të nderuar,
Institucioni i Avokatit të Popullit, bazuar në njoftimet e bëra publike në median e shkruar dhe atë vizive në datë 14.04.2026, për djegien e një pallati të kompleksit "Arlis", të ndodhur në zonën në afërsi të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, në përputhje me nenin 13, të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, ka filluar shqyrtimin me iniciativë të kësaj çështjeje.
Problematika e krijuar në këtë rast lidhet me mbrojtjen dhe respektimin e një sërë të drejtash të ligjshme të banorëve, si dhe të subjekteve të tjera që përdorin këtë godinë, ku veçojmë të drejtën e jetës, të drejtën për një strehim të përshtatshëm, të drejtën për shëndetin, si dhe të drejtën për siguri.
Ngjarja e ndodhur ka ngritur disa çështje për diskutim dhe analizë të kujdesshme, në kuadër të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive të nevojshme që shteti duhet të ofrojë në këtë këndvështrim.
Nga ana tjetër, duhet theksuar fakti se përtej kësaj qasjeje të nevojshme, një element që nuk duhet neglizuar apo anashkaluar ka të bëjë me pasojat e ardhura nga ngjarja dhe emergjencën tashmë të krijuar për sigurimin e strehimit të përshtatshëm, të një numri jo të vogël familjesh të strehuara në pallatin e sipërcituar, banesat e të cilave janë djeguar apo dëmtuar rëndë nga zjarri i rënë, duke i kthyer ato në të pabanueshme.[1] Këto familje janë sot, faktikisht dhe praktikisht familje të pastreha.
Emergjenca e krijuar me mungesën e strehimit të këtyre familjeve të pallatit “Arlis”, nxjerr domosdoshmërinë e trajtimit të tyre në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, të ndryshuar (ligji nr. 22/2018), si dhe aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tij, që përfaqësojnë një kapërcim të qenësishëm cilësor në mënyrën si perceptohet strehimi i përballueshëm, si adresohen grupet në nevojë, dhe si hartohen programet e veçanta të strehimit.
Fokusi më emergjent në trajtimin e kësaj çështjeje ka të bëjë me të drejtën për strehim si një prej të drejtave më të rëndësishme të njeriut, të afirmuar në një numër të konsiderueshëm të instrumentave të së drejtës ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar dhe si një e drejtë, që lidhet drejtpërdrejtë me të drejtën për jetën dhe shëndetin.
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, si një nga instrumentat parësorë ndërkombëtarë, në nenin 25.1, parashikon që: “Çdokush ka të drejtën e një standardi jetese të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqënien e tij dhe të familjes së tij duke përfshirë ushqimin, veshjen dhe strehimin”.
Konventa të rëndësishme në nivel ndërkombëtar sanksionojnë rëndësinë e respektimit dhe garantimit maksimal të së drejtës për strehim. Ndër to, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është pjesë e regjimit tonë të brendshëm juridik, Konventa e të Drejtave Ekonomike Sociale dhe Kulturore, si dhe jurisprudenca e pasur në këtë drejtim e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sanksionojnë të drejtën për strehim si një të drejtë të njeriut.
Sipas këtyre instrumentave ndërkombëtarë, shteti duhet të garantojë mbrojtje ligjore për të drejtën për strehim dhe të ofrojë një bazë për realizimin progresiv të të gjitha aspekteve të së drejtës për strehim të përshtatshëm.
Pra, qartësisht kuadri ligjor në fuqi ka parashikuar dhe garanton mekanizmat ligjorë dhe mjetet proceduriale në dispozicion të bashkive dhe organeve të vetëqeverisjes vendore, për t’iu mundësuar vendimmarrjen dhe veprimin institucional në ndihmë të individëve dhe familjeve të pastreha.
Në këtë kontekst, vlerësojmë se qasja ndaj këtyre familjeve të pastreha duhet të garantojë mbrojtje sa më efektive të të drejtave dhe interesave të ligjshme të tyre dhe duhet të jetë e tillë që, marrja e shërbimeve publike të mos i mohohet asnjë qytetari, pavarësisht rrethanave të veçanta dhe rasteve të tilla të vështira humane.
Familjet e mbetura të pastreha nga zjarri i rënë në pallatin e kompleksit "Arlis", vlerësojmë se duhet të trajtohen në mënyrë të menjëhershme me një nga programet e strehimit social, më të përshtatshëm, të parashikuar në nenin 11, të ligjit nr. 22/2018.
Më konkretisht, përfitimi i bonusit të qirasë për këto familje derisa atyre t’i sigurohet strehimi i përshtatshëm përmes meremetimit të banesave, do të ishte zgjidhja e duhur dhe koherente për vetë zhvillimet që lidhen me këtë rast.
Avokati i Popullit, në përputhje me mandatin e tij kushtetues dhe kompetencat që ai gëzon në ligjin nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, vlerëson se njësia juaj e vetëqeverisjes vendore, disponon instrumentat e duhur ligjorë dhe organizativë për ti dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë kësaj çështjeje, duke iu rekomanduar njëkohësisht veprim dhe reflektim proporcional që mbron të drejtat dhe interesat e ligjshëm të këtyre banorëve.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj,
K O M I S I O N E R E
Erinda MELI