8 Mars 2023

Avokati I Popullit Shënon 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare Të Gruas


AVOKATI I POPULLIT SHËNON 8 MARSIN, DITËN NDËRKOMBËTARE TË GRUAS

Arritje të rëndësishme në jetën politike, ekonomike, sociale dhe shoqërore të grave dhe vajzave në Shqipëri, janë motive për të festuar më datën 8 mars të çdo viti, një datë kur përkujtohen përpjekjet dhe sfidat me të cilat janë përballuar gratë dhe vajzat për të vendosur dhe mbrojtur të drejtat e tyre, si pjesë e pamohueshme e të drejtave të njeriut.

Shumë gra dhe vajza na kanë bërë krenarë në arenën ndërkombëtare, me rezultate të shkëlqyera në disiplina të ndryshme apo duke treguar talentin e tyre në arte apo fusha ku dominojnë burrat. Po ashtu të tjera gra e vajza në Shqipëri, kontribuojnë çdo ditë në botën e punës, komunitet dhe familje, duke dëshiruar një vend ku drejtësia dhe barazia të jenë pjesë e pandashme e demokracisë.

Por njëkohësisht 8 Marsi është një ditë, për të reflektuar se përse ende gratë dhe vajzat duhet të përballen me dhunën e paprecendenttë, një shkelje e rëndë e së drejtës për një jetë të denjë. Një reflektim përse ende ato janë të nënpërfaqësuara në tregun e punës, edhe pse statistikat tregojnë se më shumë se djemtë, vajzat sot përfundojnë universitetet.

Avokati i Popullit vëren se: hendeku gjinor në paga, rolet tradicionale të cilat ndikojnë në punësimin e grave në sektorë më pak të paguar, mungesa e shërbimeve për të bërë të pajtueshme punën me detyrimet familjare, dhuna dhe ngacmimi seksual në vendin e punës, puna e papaguar, informaliteti, etj pengojnë sot gratë dhe vajzat shqiptare, të realizojnë të drejtat e tyre ekonomike.

Epoka dixhitale, në të cilën po jetojmë, përbën një mundësi të mirë për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave. Avokati i Popullit konsideron si të rëndësishme se, ndërsa politikat duhet të orientohen drejt rritjes së pjesmarrjes së vajzave në sektorët e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, po kështu duhet të ndërmerren masa për të mbrojtuar ato nga ngacmimet dhe dhuna online, sidomos gratë e vajzat që pësojnë diskriminim të shumëfishtë dhe ato që janë pjesë aktive e jetës publike.

Rritja e pjesmarrjes së grave në politikë dhe përfaqësimi i lartë i tyre në Kuvend dhe Qeveri, duhet të përkthehet në më shumë aksione konkrete, për të patur politika miqësore me familjen, politika të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale, shërbime të përshtatshme dhe cilësore përfshirë kujdesin për fëmijët dhe alokimi i buxheteve të duhura, fuqizim të Mekanizmit për Barazi Gjinore dhe Mekanizmit të Koordinuar të Referimit kundër Dhunës në Familje.

Ndërkohë, rishikimi i Ligjit të Barazisë Gjinore, miruatuar rreth 14 vite më parë, duhet të jetë në fokus të punës dhe të sillet në tryezat e diskutimit mes të gjithë aktorëve, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Barazisë Gjinore 2021-2030, në përmbushje të rekomandimeve të dhëna në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian, duke shkuar në një linjë dhe me angazhimet që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të përmbushjes së Axhendës 2030 për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe në mënyrë direkte të SDG 5 “Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizim për të gjitha gratë dhe vajzat”, apo Konventës OKB “Për eleminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave” dhe Konventës së Këshillit të Evropës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.

Avokati i Popullit ndërkohë, gjen rastin të vlerësojë kontributin e zyrës përfaqësuese të OKB-së në Shqipëri, për përpilimin e një dokumenti advokues mbi Ligjin për Barazinë Gjinore dhe e konsideron këtë propozim një bazë të mirë e thelbësore në këtë proces i cili ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve.

Ndërsa duhet të ishte një muaj i grave, ashtu siç është pagëzuar tashmë, ku vërtet gratë dhe vajzat të ndiheshin të lumtura dhe të barabarta, marsi i këtij viti u përgjak nga krimi i urrejtjes. Tre nëna, motra, bija humbën jetën dhe tre të tjera u plagosën, duke shënuar ngjarjen më të rëndë të dhunës në këto vite. Ndaj Avokati i Popullit i bashkohet sot zërit protestues të qindra grave dhe vajzave dhe qytetarëve/qytetareve, për t’i thënë STOP femicidit.

Avokati i Popullit, thekson se, zbatimi me korrektësi i kuadrit ligjor për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, ndëshkimi i autorëve por edhe personave përgjegjës që pengojnë apo neglizhojnë në kryerjes e detyrës, duhet të jenë kryefjala e luftës kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

Struktura të fuqizuara si në nivel qendror dhe vendor, alokim të burimeve financiare për shërbime të specializuara për viktimat e dhunës ndaj grave përfshirë dhunën në familje, programe riintegrimi, përgatitja e programeve dhe ngritja e shërbimeve për rehabilitimin e dhunuesve janë masa që duhet të ndërmerren me urgjencë.

Në këtë luftë të përbashkët, Avokati i Popullit u bën thirrje djemve dhe burrave të bëhen veprimtarë ndryshimi, duke qenë pjesë e luftës kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, në krah të grave dhe vajzave në përpjekjet e tyre për përmbushjen e të drejtave që u takojnë.