11 Shkurt 2023

Avokati I Popullit Monitoron Tubimin E Ditës Së Sotme Në Bulevardin “Dëshmorët E Kombit”


AVOKATI I POPULLIT MONITORON TUBIMIN E DITËS SË SOTME NË BULEVARDIN “DËSHMORËT E KOMBIT”

Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar me vëmendje protestën e ditës së sotme 11 shkurt 2023, të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga parti politike të opozitës.

Duke mbajtur në konsideratë faktin se një nga të drejtat kryesore kushtetuese në demokraci është ajo për protestë paqësore, Avokati i Popullit gjen me vend të vlerësojë zhvillimin e qetë e pa probleme thelbësore të këtij tubimi të zhvilluar ditën e sotme.

Vëzhgues të institucionit të Avokatit të Popullit kanë qenë të pranishëm në terren, përgjatë gjithë zhvillimit të protestës duke monitoruar nga afër sjelljen si të palës së protestuesve ashtu edhe atë të përfaqësuesve të institucioneve ligjzbatuese.

Për shkak se pas përfundimit të protestës u kryen disa shoqërime qytetarësh, përfaqësues të Avokatit të Popullit inspektuan menjëherë Komisariatet e Policisë ku u shoqëruan qytetarët në fjalë.

Nga monitorimi i kryer në Komisariatin nr.3 rezultoi nga kontrolli i regjistrit dhe vëzhgimi fizik i dhomave të shoqerimit se në momentin e inspektimit të Avokatit të Popullit, atje nuk kishte asnjë qytetar të shoqëruar.

Nga monitorimi i kryer në Komisariatin nr.2 rezultoi se ishte shoqëruar shtetasi G.A., nga bashkia e Tropojës, i pa punë, pa paaftësi fizike, i cili raportoi se nuk mbante mend kontaktet e të afërmve. Nga verifikimi i regjistrit të të shoqëruarve, personi në fjalë ishte shoqëruar në oren 14:40 të datës 11.02.2023 nga patrulla 53/13 , si i dyshuar për hedhjen e flakadanëve gjatë protestes. Më pas ky shtetas është zhvendosur për në Komisariatin nr.1 rreth orës 16:25 me patrullën 57/9 me arsyen se të gjithë shoqëruarit e protestës do të mbaheshin në këtë komisariat.

Gjithashtu nga vëzhgimi fizik i dhomave të shoqërimit rezultoi se nuk kishte asnjë të shoqëruar.

Ndërkohë gjatë inspektimit të ekipit të Avokatit të Popullit në Komisariatin nr.1 është konstatuar një i shoqëruar, shtetasi E.Gj, i cili më pas është proceduar në gjendje të lirë.