7 Shkurt 2023

Avokati I Popullit Dërgon Rekomandim Për Marrjen E Masave Ndaj Ndotjes Në Ujërat E Lumit Ishëm


AVOKATI I POPULLIT DËRGON REKOMANDIM PËR MARRJEN E MASAVE NDAJ NDOTJES NË UJËRAT E LUMIT ISHËM

Institucioni i Avokatit të Popullit, duke marrë shkas nga shqetësimet e ngritura në median e shkruar dhe vizive në lidhje me ndotjen e lumit të Ishmit, ka filluar shqyrtimin me iniciativë të kësaj çështje, që lidhet me mbrojtjen e mjedisit.

Në këtë kontekst, vlerësohet se njësitë e qeverisjes vendore në bashkëpunim me autoritet qëndrore përgjegjëse për fushën e mjedisit, në çdo kohë nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor dhe detyrat funksionale në marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e problemit në lidhje me menxhimin e duhur të mbetjeve urbane dhe ndotjen e mjedisit përreth, në përputhje me standardet e kërkuara dhe si një nevojë emergjente për të mos cënuar në asnjë rast shëndetin e qytetarëve.

Avokati i Popullit vlerëson se situata e krijuar në zonën e lumit Ishëm, kërkon ndërhyrje urgjente, fillimisht duke hartuar dhe implementuar një plan të mirëfilltë menaxhimi të mbetjeve urbane, më pas duhet ndërmarrë një fushatë e gjërë pastrimi, duke filluar nga lumi Ishëm e degëve të tij dhe pastrimi i gjithë vijës brëgdetare të Grykëderdhjes së Ishmit. Vendosja e infrastrukturës për grumbullimin e mbetjeve urbane në zonë është një hap shumë i rëndësishëm drej përmirësimit të situatës së mjedisit në zonë.

Ndër të tjera, Avokati i Popullit rekomandon se, këto fusha kërkojnë një vëmendje të veçantë dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve, në të gjitha nivelet e qeverisjes, për të ruajtur mjedisin dhe për të luftuar ndryshimet klimatike për brezat aktualë dhe ata të ardhshëm.