31 Gusht 2018

Avokati I Popullit Dënon Sulmin Ndaj Gazetares Klodiana Lala Dhe Shpreh Solidaritet Me Gazetarët Në Misionin E Tyre


AVOKATI I POPULLIT DËNON SULMIN NDAJ GAZETARES KLODIANA LALA DHE SHPREH SOLIDARITET ME GAZETARËT NË MISIONIN E TYRE

 

Institucioni i Avokatit të Populli dënon sulmin frikësues me armë mbi shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala dhe shpreh solidaritetin me gazetaren.

Është e papranueshme që jeta dhe siguria e punonjësve të medias në Shqipëri të sfidohet në mënyrë kaq brutale në një kohë që vendi ynë është përballë sfidave të reja në rrugën e integrimit europian.

Gazetarët në Shqipëri janë shpesh objekt i dhunës verbale, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes së iniciuar madje edhe nga autoritetet.

Kjo klimë intimiduese, nuk bën gjë tjetër veçse i trimëron burracakët që do të donin një media dhe gazetarë të nënshtruar ndaj orekseve të tyre.

Duke shprehur mbështetjen e plotë dhe solidare me gazetaren Lala dhe familjen e saj, institucioni i Avokatit të Popullit dëshiron t’u bëhet krah të gjithë atyre që luftojnë për të vërtetën në këtë vend.

Fshehja dhe manipulimi i së vërtetës është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, andaj njerëzit që luftojnë për të vërtetën, qofshin ata gazetarë apo jo, duhet të gëzojnë mbrojtje të veçantë.

Avokati i Popullit gjithashtu u bën thirrje autoriteteve që përtej deklaratave formale në shtyp, të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të urryeshme dhe të vendosin përpara ligjit fajtorët.