"Fëmijët Flasin-Institucionet Dëgjojnë" -Nxënësit E Tiranës Në Rolin "Avokati I Popullit Për Një Ditë"
Avokati i Popullit mirëpriti sot nxënës nga shkolla “Sami Frashëri” në kuadër të 1 qershorit, në iniciativën “Fëmijët flasim-institucionet dëgjojnë”.
Fëmijët, përfaqësues të qeverisë së nxënësve të këtij gjimnazi apo anëtarë të klubeve të debatit, patën mundësinë të improvizonin rolin “Avokat i Popullit për një ditë”.
Gjatë bashkëbisedimit me Avokatin e Popullit, Endrit Shabani dhe Komisioneren për të Drejtat e Fëmijëve, Alma Faskaj, nxënësit ngritën shqetësime mbi hapësirat e tyre në shkollë apo në komunitet.
Adresimi i fenomeneve si bullizimi, ngacmimet online, dezinformimi, siguria në shkolla, programet e pakta sociale në strukturat arsimore, mungesa e hapësirave të gjelbra në lagjet e banimit, ishin vetëm disa nga çështjet që u ngritën prej tyre, në kërkim të një mjedisi të sigurt dhe zhvillues.
Të ulur simbolikisht në karrigen e Avokatit të Popullit, fëmijët që vizituan institucionin, me ide të qarta e fuqi shprehëse, dhanë mesazhe inkurajuese gjithëpërfshirjeje dhe i kushtuan rëndësi vlerave dhe diversitetit, që po vihen në rrezik nga presioni teknologjik.
Z. Endrit Shabani inkurajoi nxënësit ta përdorin institucionin e Avokatit të Popullit si një derë ku mund të sjellin shqetësimet e tyre, të shokëve apo familjarëve, duke i garantuar për vëmendje maksimale në mbrojtje të të drejtave të tyre.
Avokati i Popullit shkëmbeu informacion dhe mendime me fëmijët mbi fenomenin e bullizimit online dhe problemet që hasin në përditshmëri në shkollë.
Në fund, vizitorët shkruan rekomandimet për institucionin e Avokatit të Popullit, të cilat u morën nga Seksioni për Fëmijët, si një guidë për tu orientuar në veprimtarinë institucionale.