5 Prill 2023

Avokati I Popullit Rekomandon Respektimin E Të Drejtave Të Personave Me Aftësi Të Kufizuara Në Kuadër Të Zgjedhjeve Vendore


AVOKATI I POPULLIT REKOMANDON RESPEKTIMIN E TË DREJTAVE TË PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA NË KUADËR TË ZGJEDHJEVE VENDORE

Në kuadër të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të cilat do të zhvillohen në datën 14 Maj 2023, institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur punën për monitorimin paraprak të përgatitjeve për procesin zgjedhor.

E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është një e drejtë themelore e njeriut ndaj dhe vëmendja jonë e shtuar institucionale është përqëndruar tek garancitë e dhëna në respektimin e së drejtës së votës për qytetarët dhe nga ana tjetër, tek ushtrimi i kësaj të drejtë në mënyrë të lirë, të fshehtë dhe të pakushtëzuar, me akses të garantuar të qytetarëve në qendrat e votimeve në veçanti për personat me aftësi të kufizuara (PAK).

Në procedurën e votimit të drejtpërdrejtë, hapja e qendrave të votimit në të gjitha vendet e përcaktuara duhet të shoqërohet me sigurimin e logjistikës së nevojshme, e cila mundëson dhe lehtëson, votimin për të gjithë kategorinë e personave PAK.

Mbi këtë bazë vlerësimi, duke analizuar të gjithë legislacionin specifik në fuqi, në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vitin 2021, institucioni i Avokatit të Popullit i ka rekomanduar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (Komisionit Rregullator) përmirësimin, në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, para zgjedhjeve të ardhshme për organet e qeverisjes vendore, të Udhëzimit nr.1 datë 5.12.2020, “Përcaktimi i rregullave për ngritjen, caktimin dhe njoftimin e vendndodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së vetëqeverisjes vendore për zgjedhjet”, të miratuar nga Komisioni Rregullator, në KQZ.

Po ashtu Avokati i Popullit ka kërkuar shtimin e parashikimeve të detajuara në këtë udhëzim, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e lehtësive për votimin e personave me aftësi të kufizuar, në qendrat e votimit, si dhe për çështjet e parashtruara në rekomandimin nr. K1/S4-2 datë 06.04.2021 të Avokatit të Popullit.

Në të njëjtën kohë, rekomandimi kërkon parashikimin e një mekanizmi efektiv për kontrollin e përmbushjes së kritereve ligjore nga ana e organeve përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilët synojnë krijimin e kushteve të përshtatshme në qendrat e votimit, për ushtrimin lirisht të së drejtës së votës nga ana e personave më aftësi të kufizuar.