8 Shtator 2022

Rekomandimi Europian Për Përmirësimin E Kushteve Të Pacientëve Të Dënuar, Ende I Paplotësuar


REKOMANDIMI EUROPIAN PËR PËRMIRËSIMIN E KUSHTEVE TË PACIENTËVE TË DËNUAR, ENDE I PAPLOTËSUAR

Në Raportin e Avokatit të Popullit “Mbi zbatimin e rekomandimeve të lëna për Shqipërinë nga Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor dhe Degradues (KPT)” drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, radhiten një mori problematikash që kanë të bëjnë me sistemin penitenciar në Shqipëri.

Ndër rekomandimet e lëna nga KPT ishte përmirësimi i situatës së Pacientëve me masë mjekësore. Sipas këtij rekomandimi “pacientët me masë ‘mjekim i detyruar’ vazhdojnë të mbahen në Spitalin e Burgut në Tiranë dhe në Institucionin e Veçantë të Zaharisë në Krujë në kushte të papranueshme”. Në fakt, kushtet e jetesës në këto dy institucione ishin përkeqësuar më tej që nga vizita e vitit 2014 (në veçanti për sa i përket gjendjes së riparimit dhe mbipopullimit), dhe niveli i kujdesit psikiatrik mbetet qartë i pamjaftueshëm. Në përgjithësi, Komiteti krijoi përshtypjen e “braktisjes terapeutike” të shumë pacientëve.

Sipas përgjigjjeve zyrtare nga autoritetet përgjegjëse nënvizohet se probleme me cilësinë e akomodimit të këtyre pacientëve janë shtuar për shkak të dëmtimeve të objekteve të burgjeve nga tërmeti i vitit 2019, se pacientët trajtohen me akomodim në burgun e Krujës, se me anë të investimeve nga Qeveria shqiptare po arrihen standardet më të mira të akomodimit dhe shërbimeve shëndetësore për këtë kategori dhe se po përcaktohen masat që duhen marrë në kuadër të përmirësimit të kushteve dhe trajtimit të personave me masën “mjekim të detyrueshëm”.

Ndërkohë pas inspektimeve të kryera nga Mekanizmi kundër Torturës i Avokatit të Popullit, është konstatuar se rekomandimet e KPT për këtë çështje nuk janë zbatuar.

Trajtimi dhe akomodimi jo adekuat i personave me masë mjekësore “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” të vendosur nga gjykata, mbi kapacitetin fizik në IEVP Krujë, por edhe në IVSHB (Spitali i Burgjeve), është denoncuar vazhdimisht nga institucioni i Avokati i Popullit, si një shkelje flagrante e ligjit dhe e standardeve ndërkombëtare, që sjell trajtim diskriminues dhe denigrues të këtyre pacientëve si dhe përkeqësim të gjendjes së tyre shëndetësore. Personat me çrregullime të shëndetit mendor e kanë domosdoshmëri trajtimin nga mjeku specialist psikiatër dhe nga ekipi multidisiplinar, në çdo kohë, pavarësisht nga regjimi i mbajtjes së tyre. Megjithatë, ashtu sikurse është përmendur në rekomandimet në vite të institucionit të Avokatit të Popullit, situata e mbipopullimit, mungesat në stafin mjekësor të specializuar si dhe në radhët e ekipit multidisiplinar (i cili ose ka probleme me kualifikimin ose është në numër të ulët), e kanë bërë të pamundur respektimin e këtij standardi të vendosur edhe nga institucionet ndërkombëtare, për këtë qëllim.

Në vlerësimin e Avokatit të Popullit, shtetasve me masë mjekësore u janë cenuar rëndë të drejtat e tyre, kjo pasi prania e tyre në burgje është e kundraligjshme. Kësaj i shtohet edhe faktit që në vite nuk ka patur një përmirësim të qenësishëm në rritjen e numrit të stafit mjekësor, si dhe situata e braktisjes terapeutike e konstatuar nga KPT, ende nuk ka ndryshuar. Kjo problematikë ka patur ndikim edhe në mbipopullimin e IEVP Zahari dhe aktualisht të IEVP Lezhë, duke përkeqësuar klimën në këto institucione. Mbetet ende nevoja urgjente për adresimin e përmirësimeve infrastrukturore të menjëhershme.