21 Korrik 2022

Fjala E Avokates Së Popullit Në Kuvendin E Shqipërisë Gjatë Prezantimit Të Raportit Vjetor Të Institucionit


FJALA E AVOKATES SË POPULLIT NË KUVENDIN E SHQIPËRISË GJATË PREZANTIMIT TË RAPORTIT VJETOR TË INSTITUCIONIT

“E nderuar kryetare e seancës!

Të nderuar deputetë!

Të nderuar qytetarë!

Jam sot përpara jush, ashtu si çdo herë që jam paraqitur në këtë foltore këto 5 vitet e fundit, me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve. Jam këtu si një e punësuar prej qytetarëve, e cila raporton për kryerjen e një detyre që ata ia kanë besuar e që për mua është një përgjegjësi që kam marrë mbi supe.

Puna e çdo Avokati Populli ka si gur kilometrik raportin vjetor, që përmbledh gjithë tërësinë e ankesave të adresuara nga qytetarët ndaj institucioneve të shtetit shqiptar, e të trajtuara nga Avokati i Popullit përmes rekomandimeve që ai u dërgon këtyre institucioneve. Raporti përmban edhe vizionin e institucionit mbi të drejta të reja që po gjejnë vend në realitetin ndërkombëtar dhe të cilat natyrshëm sillen si nevojë imperative për t’u zbatuar edhe në Shqipëri.

Raporti është në duart tuaja dhe sigurisht ju mund të konstatoni rritjen thelbësore të numrit të ankesave dhe volumin e lartë të punës të kryer nga Avokati i Popullit. Një institucion i cili, e kam thënë shpesh por po e përsëris edhe këtu, është përkufizuar si dora e zgjatur e këtij Kuvendi – dhe është një institucion që në Republikën tonë parlamentare është ngritur për ta ndihmuar Kuvendin të kuptojë problematikat e qytetarëve, e duke i kuptuar të ndikojë te institucionet qeverisëse në respekt të ruajtjes dhe garantimit të të drejtave të njeriut. Kuvendi nga ana tjetër është e duhet të jetë aleati më i mirë i AVP sepse përmes rolit të tij monitorues e ligjbërës ndodh përmirësimi i praktikave të padrejta apo papërshtatshme.

Nuk do ta lodh audiencën me shifra dhe përqindje, pasi ndonëse termat sasiorë kanë rëndësinë e vet edhe atëherë kur flitet për të drejtat e njeriut, ajo që duhet të na preokupojë është mbi të gjitha: cilësia. Cilësia e respektimit të këtyre të drejtave përcakton edhe cilësinë e shtetit tonë, portretin e tij human, fytyrën e tij të njerëzishme, sidomos në kohëra të vështira si këto që po kalojmë.

Avokati i Popullit në Shqipëri, për fat të mirë apo edhe të keq është një institucion ndaj të cilit ka pritshmëri të larta, madje jo pak herë më të larta edhe se mundësitë apo kompetencat e tij ligjore. Ky fakt mund të shpjegohet në dy mënyra.

Së pari, fakti që prej Avokatit të Popullit pritet shumë, na bën të mendojmë se besimi i qytetarëve në këtë institucion është i lartë.

Kjo u vërtetua edhe nga Barometri i Ballkanit për vitin e fundit, i cili merr në analizë besimin e qytetarëve në të gjitha institucionet e të gjithave vendeve të rajonit tonë. Me kënaqësi mund të konstatoni se Avokati i Popullit në Shqipëri, edhe pse faktikisht është ndër Ombudsmanët me më pak burime njerëzore e financiare në rajon, por edhe ndër institucionet më të vogla në Shqipëri, me vetëm 58 punonjës në rang kombëtar, gëzon një reputacion mjaftueshem të lartë. Aspak më të ulët fjala vjen, se besimi që ka edhe vetë Kuvendi i Shqipërisë, prej të cilit zgjidhet Avokati i Popullit dhe më të larte lartë se gjyqësori.

Mënyra e dytë sesi mund të shpjegojmë pritshmëritë e larta ndaj Avokatit të Popullit, lidhet me shkakun për të cilin ky Institucion ekziston.

Të mos harrojmë se një nga karakteristikat e një shoqërie demokratike është aftësia për të ushqyer kriticizëm apo qortim ndaj qeverisë dhe mundësia për ta shprehur këtë kriticizëm. Që ndaj qeverive shqiptare ushqehet kriticizëm, kjo besoj se përbën një nga elementët që na dëshmojnë se nuk jemi në një rend diktatorial.

Mirëpo, ka një distancë midis një sistemi që e lejon kriticizmin dhe kësisoj nuk quhet diktaturë dhe një sistemi që jo vetëm thjesht e lejon por edhe e pranon kriticizmin, e prandaj quhet demokraci. Ky është dallimi midis sistemit jo-diktatorial dhe atij demokratik, e këto dy koncepte ndonëse shpesh i përziejnë qëllimisht, janë dy gjëra të ndryshme.

Avokati i Popullit është një institucion i parashikuar specifikisht në një kushtetutë demokratike, si instrument i shqyrtimit dhe vlerësimit të kriticizmit, i performimit të tij tek institucionet e shtetit duke i ftuar ato ta pranojnë këtë kriticizëm. Duke e pranuar qortimin, institucionet konfirmojnë se jo thjesht nuk jemi në diktaturë, por jetojmë edhe në një rend demokratik ku kriticizmi pranohet e prej tij merren mesazhe si të përkryhet qeverisja.

E vërteta është se ndërkohë që ankesat e qytetarëve te Avokati i Popullit shtohen, e bashkë me to shtohet edhe sasia kritike e rekomandimeve që ky institucion u adreson institucioneve të shtetit, shkalla e rritjes së këtij kriticizmi shkon në shpërpjestim me shkallën e pranimit të tij.

Këtu dua të bëj një parantezë në lidhje me llojet e kritizicmit, pasi sigurisht ashtu sikundër ekziston kriticizmi gjenuin, i mbështetur në faktet e realitetit dhe i nxitur prej perceptimeve të vërteta të njerëzve, ashtu vërtitet edhe një lloj kriticizmi për hir të kriticizmit. Ky është një lloj rituali i pa vlerë e njëkohësisht zhvlerësues, prej të cilit edhe unë vetë si Avokate e Popullit kam përvojat e mia të shënjestrimit. Ky lloj kriticizmi i paprinciptë, sigurisht e inflacionon kriticizmin gjenuin. Ai prodhon kriticizëm mbi vetë kriticizmin e shëndoshë, e madje kthehet ndonjëherë padrejtësisht, në alibi për refuzimin e çdo lloj qortimi, edhe të merituar.

Megjithatë sa më i pakët e i pamjaftueshëm pranimi i kriticizmit, aq më të mëdha ankesat e kritikat pasuese. Një vështrim i juaji i ecurisë sasiore të rekomandimeve e rasteve të trajtuara në 5 apo 10 vitet e fundit nga Avokati i Popullit mund t’ju ofrojë një pasqyrë më të qartë për këtë që po them.

Qytetarët i shtojnë pritshmëritë ndaj Avokatit të Popullit sepse nuk kanë të njëjtat pritshmëri tek institucionet e tjera. Çdo qytetar ankues është dikush që pretendon se ndaj tij është kryer një padrejtësi. Pikësëpari shqetësimi ynë duhet të lidhet me numrin e madh të atyre që e përjetojnë marrdhënien me shtetin si një kontakt me padrejtësinë.

Së dyti, kur qytetari troket në derën e Avokatit të Popullit, kjo ndodh kur ai jo vetëm e ka përjetuar këtë padrejtësi, por nuk ka shpresë që ajo të zgjidhet nga institucionet e tjerë. E kësisoj, pritshmëria te Avokati i Popullit rritet në po atë shkallë sa ulet pritshmëria nga institucionet e tjerë.

Thënë të gjitha këto, pritshmëritë e larta te Avokati i Popullit dhe besimi i lartë i publikut tek ky institucion, do t’ia përkëdhelnin sedrën çdo drejtuesi të këtij institucioni po ta shihte gjithçka nga këndi i ngushtë i suksesit të “bajrakut” të vet.

Mirëpo një drejtues institucioni shtetëror në Shqipëri nuk mund ta ketë luksin të mendojë në miniaturën e fushëpamjes së mikroskopit të vet, pasi shteti ynë ka nevojë të konsolidohet e nëse një gjë nuk shkon mirë me një pjesë të shtetit, pasojat janë për çdo pjesë tjetër të tij.

Sidomos në dritën e zhvillimeve të fundit, çeljes së negociatave të anëtarësimit të vendit tonë me Bashkimin Europian, qasja e Shqipërisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, duhet të ndryshojë rrënjësisht.

Kapitulli i respektimit të të drejtave të njeriut është jo thjesht një nga pjesët përbërëse të këtij procesi të gjatë që kemi nisur, por edhe një nga shtyllat e tij kryesore. Dhe kjo, sepse ne po aspirojmë të barazojmë mënyën sesi institucionet e shtetit tonë i respektojnë të drejtat njerëzore me mënyrën sesi e bëjnë këtë në Bashkimin Europian.

Në fund të fundit, ky proces negociues e përafrues i Shqipërisë me BE-në, do të duhet të reformojë edhe mënyrën sesi qeveritë tona do të funksionojnë tani e tutje dhe sesi ato do të administrojnë vullnetin e qytetarëve dhe resurset e tyre.

Kjo sepse, sikundër është e sanksionuar në Karten e te Drejtave Themelore te Bashkimit Europën, keqadministrimi është shkelje e të drejtave të njeriut. Të zhgënjesh pritshmëritë e qytetarëve e t’i administrosh ata në mënyrë të pamerituar nuk do të jetë aq e thjeshtë ndaj zëri i institucioneve ushtruese të kriticizmit dhe presionit për mirëadministrim, si Avokati i Popullit, do duhet dëgjuar më me respekt e mirëkuptim.

Sidokudo, ky raportim imi para jush vjen edhe në mbyllje të këtij mandati pesëvjeçar timin në krye të këtij institucioni. Sigurisht emrat e përveçëm nuk kanë rëndësi përpara nevojës që kemi për institucione të forta e të konsoliduara. Mirëpo është hera e parë që nga krijimi i institucionit të Avokatit të Popullit, që zgjedhja e kreut të tij ka një udhërrëfyes të dobishëm e të gjithëpranuar siç janë parimet për mbrojtjen dhe promovimin e institucioneve të Ombudsmanit, të miratuara pas një konsultimi të gjatë nga komisioni i Venecias në maj 2019. Nëse i lexoni, këto parime u kërkojnë vendeve anëtare që zgjedhja e AVP të jetë publike, transparente, objektive dhe e bazuar në meritë. Përzgjedhja duhet të shërbejë për rritjen e autoritetit, paanësisë, pavarësisë dhe legjjitimitetit të Institucionit. Parimet udhezojne udhezojne ushtrimin e detyres per nje mandat, kohezgjatja e cilit eshte e pelqyeshme te mos jete me e shkurte se 7 vite, dhe kerkojne mandati te mos jete i rinovueshem me shume se nje here. Zgjedhja e AVP përbën gurin e parë, dhe një parakusht për arritjen e këtyre objektivave. Dua që t’ju kërkoj të gjithëve ju, që Avokati i ardhshëm i Popullit të jetë shëmbëlltyrë e këtyre karakteristikave dhe t’i shërbejë qëllimit primar të forcimit të institucionit në veçanti dhe demokracisë në vend në përgjithësi.

Kur flet për shtetin një qytetar shqiptar në të shumtën e rasteve ka parasysh jo një instrument të tijin që punon për t’i përmirësuar jetën, por një strukturë virtuale agresive prej hijes së të cilës, ai trembet.

Ka me dhjetëra arsye që mund të shpjegojnë këtë mosbesim të njerëzve tanë tek shteti i tyre, por përshtypja ime është se të paktën njëra prej këtyre arsyeve lidhet me retorikën e fortë politike dhe antagonizmin ekstrem brenda politikës. Kjo retorikë e ashpër në kufijtë e luftës, etiketimet damkosëse, sjellja injoruese ndaj tjetrit, kultivimi i një gjuhe përbaltëse e urrejtëse e shumë elementë të tjerë konfliktualiteti, e neverisin qytetarin.

Kjo shpërfaqje e vazhdueshme e agresivitetit, ndërkohë që produkti nuk është një jetë më e mirë për qytetarët, e rrënon besimin tek institucionet pasi krijon perceptimin se shteti përbëhet nga një elitë destruktive. Njerëzit nuk kanë çfarë mesazhi tjetër të nxjerrin nga manifestimi i pandërprerë i brutalitetit tek ata që duhej të ishin modeli i vetëpërmbajtjes.

Duke qenë në sytë e të gjithëve, papajtueshmëria e ideve, ashpërsia e retorikës dhe radikalizmi i veprimeve shndërrohen edhe në një model që projektohet më pas në përditshmërinë e ideve, retorikës dhe veprimeve të qytetarëve të zakonshëm.

Ky rreth vicioz, megjithatë duhet të mbyllet një ditë.

Unë nuk jam këtu të jap formula apo receta sesi duhet bërë kjo. Por jam këtu vetëm për të bërë një thirrje e cila shpresoj, më vonë, në qetësinë dhe privacinë e gjithësecilit, të gjejë jehonë brenda ndërgjegjes suaj. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Njerëzit tanë nuk e meritojnë këtë që kemi bërë me besimin e tyre. Shteti i shqiptarëve nuk mund të jetë armiku i tyre.

Si Avokate e Popullit kam pasur mundësinë të shoh me qindra, mijëra e dhjetëra mijëra raste qytetarësh që u drejtohen të dëshpëruar institucioneve në kërkim të një zgjidhjeje, shpesh edhe të mbushur me iluzione mbi mundësitë, apo qëllimin e këtyre institucioneve.

E gjithë kjo masë njerëzish dhe sasia e tmerrshme e halleve që rëndojnë mbi ta, përmes adresimit tek institucione si Avokati i Popullit por jo vetëm, edhe pse kërkojnë zgjidhje individuale, japin një pasqyrë të mosefektivitetit, jo-produktivitetit dhe disfunksionimit të shtetit tonë.

Shteti ynë, mënyra sesi kemi punuar dhe kemi funksionuar për kaq kohë, kanë rezultuar në një shumësi të pakontrollueshme e të pamenaxhueshme problemesh për njerëzit tanë. Dhe ky është dështimi ynë i vërtetë.

Përgjigjja ndaj këtij dështimi nuk është dëgjimi i këtyre fjalëve dhe kthimi i kokës në anën tjetër për të vazhduar jetën sikur asgjë nuk ndodh e asgjë nuk na cënon.

Përgjigjja është marrje përgjegjësie. Përgjigjen e ka në dorë secili prej nesh.

Ju falemnderit”!