19 Korrik 2022

Prezantohet Raporti Që Vlerëson Ndikimin E Ndryshimeve Klimatike Në Të Drejtat E Fëmijëve


PREZANTOHET RAPORTI QË VLERËSON NDIKIMIN E NDRYSHIMEVE KLIMATIKE NË TË DREJTAT E FËMIJËVE

U prezantua sot me bashkëpunimin midis Seksionit të Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijëve në Avokatin e Popullit dhe Save the Children në Shqipëri, raporti “Vlerësimi i Ndikimit të Ndryshimeve Klimatike tek të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri”.

Raporti është hartuar në kuadër të projektit “Fëmijët Flasin” i mbështetur nga EUKI - European Climate Initiative dhe zbatuar nga Save the Children dhe Instituti Italian OIKOS. Ai shqyrton ndikimet që kanë tek fëmijët dhe të rinjtë ligjet, politikat, vendimet buxhetore, e programet dhe shërbimet në fushën e ndryshimeve klimatike.

Pjesëmarrësit kryesorë në këtë takim ishin: Erinda Ballanca, Avokate e Popullit, Arlinda Topçiu, Drejtore Kabineti në Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Rovena Moçka, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Zamira Gjini, Drejtore e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Alma Tandili, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Olta Aliaj, Komisionere e Seksionit të Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijëve, Anila Meço, Drejtore Ekzekutive e Save the Children in Albania, Elsa Beqiri dhe Anja Madhi - Përfaqësuese të Grupit “Zëri 16+” në Durrës dhe Elbasan.

Ndër gjetjet e Raportit përfshihet:

- Kuadri ligjor i miratuar është ende i paplotë dhe një pjesë e mirë e tij është i pazbatueshem. Angazhimet ligjore janë më shumë retorike dhe nuk përfshijnë angazhime praktike.

- Fëmijët dhe të rinjtë kanë pak njohuri mbi ndryshimet klimatike dhe janë kryesisht të përjashtuar nga proceset e vendimmarrjeve publike.

- Fëmijët janë përfitues të shërbimeve publike, arsimore, shëndetësore, në kuadër të emergjencave civile, shërbimeve sociale, por nuk ka mekanizma ankimues të përshtatshëm për ta.