28 Korrik 2021

Prezantohet Raporti I Avokatit Të Popullit Mbi Garantimin E Të Drejtave Të Të Miturve Të Privuar Nga Liria Gjatë Pandemisë Covid-19


PREZANTOHET RAPORTI I AVOKATIT TË POPULLIT MBI GARANTIMIN E TË DREJTAVE TË TË MITURVE TË PRIVUAR NGA LIRIA GJATË PANDEMISË COVID-19

 

Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi sot një Tryezë të Rrumbullakët me qëllim paraqitjen e gjetjeve dhe rekomandimeve për garantimin e të drejtave të të miturve në konflikt me ligjin viktima apo dëshmitarë, gjatë periudhës së pandemisë në institucionet e privimit të lirisë.

Raporti në fjalë u përpilua nga bashkëpunimi i Avokatit të Popullit përmes Seksionit të Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijëve dhe UNICEF.

Në Tryezën e Rrumbullakët, ishin ftuar të merrnin pjesë përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, të Qeverisë, Policisë së Shtetit, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe medias.

Aktivitetit iu adresua me një fjalë përshëndetëse Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e cila theksoi nevojën e bashkëpunimit midis institucionet shtetërore për garantimin e të drejtave të të miturve në institucionet e privimit të lirisë.

“Jam e sigurt se përmes këtyre gjetjeve që publikojmë sot, do të kemi shumë për të mësuar e për të kuptuar. Shpresoj që ky material të jetë i vlefshëm e udhërrëfyes për ligjvënësit tanë e për institucionet e ekzekutivit, pasi përmes tij të gjithë ne si zyrtarë shtetërorë mund të gjejmë rrugët për ta bërë qoftë edhe serinë e masave në një gjendje të jashtëzakonshme, që të ketë fytyrën humane e të dhembshur të një nëne për ata që u janë besuar duarve të shtetit” u shpreh Avokatja e Popullit Ballanca.

Takimi u moderua nga Komisinerja e Seksionit të Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijëve, Nejla Peka e cila paraqiti edhe gjetjet e Raportit.

Të dhënat e këtij Raporti u mbështetën në vizitat monitoruese që institucioni i Avokatit të Popullit, në përputhje me planin e punës për vitin 2020-2021 kreu në 8 komisariate të policisë si ato në Tropojë, Shkodër, Korçë, Durrës, Elbasan, Sarandë e Përmet si dhe në në Institutin e të miturve Kavajë.

Në fokusin e Raportit janë të miturit e privuar nga liria, kushtet dhe trajtimi e tyre në institucionet e ndalimit, paraburgimit dhe burgimit, gjatë periudhës së pandemisë. Gjithashtu Raporti pasqyron rekomandime e sugjerime edhe për institucionet e administratës shtetërore përgjegjëse.