10 Maj 2021

Dita Kombëtare E Drejtësisë


DITA KOMBËTARE E DREJTËSISË

Në Ditën kombëtare të Drejtësisë, Avokati i Popullit bën thirrje për të shtuar përpjekjet në rang kombëtar me qëllim arritjen e një niveli drejtësie që gëzon besimin e qytetarëve dhe u ofron atyre një produkt të barazvlefshëm me pritshmëritë që ata kanë nga një sistem i pavarur e profesional. Drejtësia është një kolonë vertebrore për gjithë strukturën e shoqërisë, të çdo shoqërie. Ajo është premtimi dhe garancia se çdo qytetar mund të ndërtojë jetën e tij në një vend, nën mbrojtjen e barabartë prej ligjit dhe në respekt të njëjtë si kushdo tjetër ndaj tij. Pa një drejtësi të lirë e të efektshme, nuk mund të ketë asnjë lloj zhvillimi shoqëror, material apo shpirtëror. Dita e Drejtësisë është një moment për të reflektuar mbi rëndësinë që ky sistem ka për zhvillimin e vendit. Drejtësia është domosdoshmëri. Le të jetë ky mesazh një ftesë për ta arritur atë me kontributin e të gjithëve, në vendin tonë.