8 Prill 2021

Avokati I Popullit Uron Për Ditën Ndërkombëtare Të Romëve


AVOKATI I POPULLIT URON PËR DITËN NDËRKOMBËTARE TË ROMËVE

Data 8 prill është Dita Ndërkombëtare e Romëve. Kjo datë është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës Rome, si edhe një thirrje për përfshirje sociale.

Sot minoriteti kombëtar Rom në Shqipëri feston ekzistencën dhe kontributin e tij të vyer si pjesë e një shoqërie demokratike, ku vlerat e komuniteteve të ndryshme janë zhvilluar historikisht në një bashkëjetesë tradicionale.

E megjithatë kjo ditë na bën të reflektojmë realitetin tonë të përditshëm dhe të kuptojmë se Romët, janë një grup në risk, në mungesë të barazisë thelbësore për të drejtat dhe liritë e garantuara nga legjislacioni ynë në fuqi. Romët në qetësinë e tyre të përditëshme, por shqetësuese për sytë e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse, na kujtojne sot se ne, maxhoranca, i kemi lënë “të qetë”, në përjashtimin dhe segregimin e tyre social.

Pikerisht kjo ditë duhet të na shërbejë për ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Ky ndërgjegjësim kërkon marrjen e masave të qëndrueshme dhe zgjidhjeve afatgjata për të gjitha ato problematika që lidhen me integrimin real të Romëve, si dhe ndryshimin e qëndrimeve dhe të stereotipeve paragjykuese që dëmtojne këtë qasje integruese, që shpesh sfidohet nga “antixhipsizmi”.

Sidomos sot, në situatën serioze te krijuar nga pandemia e “Covid-19”, marrja e masave të menjëhershme dhe dinamike për t’iu gjendur pranë dhe për të mbeshtetur komunitetet Rome në të gjithë vendin, marrin një rëndësi të veçantë.

Minoriteti kombëtar Rom është një vlerë e shtuar, e cila meriton më shumë vëmendje dhe vlerësim, për ta ndjerë veten të barabartë në çdo fushë të jetës me pjesën tjetër të popullsisë.

Avokati i Popullit eshte dhe do te mbetet një mbështetje e fortë dhe përçues i zërit të këtij minoriteti në përpjekjet e tij për të qënë një pjesë e natyrshme dhe vitale e shoqërisë sonë.