22 Shkurt 2021

Avokati I Popullit Nënshkruan Marrëveshje Me Institutin E Studimeve Europiane Pranë Ut


AVOKATI I POPULLIT NËNSHKRUAN MARRËVESHJE ME INSTITUTIN E STUDIMEVE EUROPIANE PRANË UT

Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Instituti i Studimeve Europiane pranë Universitetit të Tiranës kanë nënshkruar së fundi një marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja u nënshkrua nga titullarja e institucionit të Avokatit të Popullit Erinda Ballanca dhe nga drejtoresha e Institutit të Studimeve Europiane, Ajlula Jubani.

Kjo marrëveshje ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit të Institucionit të Avokatit të Popullit me Institutin e Studimeve Europiane pranë Universitetit të Tiranës, në kuadër të veprimtarive të përbashkëta.

Ajo synon ndërgjegjësimin e institucioneve shtetërore, organizatat e shoqërisë civile dhe publikun, me qëllim mbrojtjen, respektimin, promovimin dhe nxitjen e standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.

Gjithashtu marrëveshja parashikon përfshirjen në kurrikulat mësimore të Institutit të Studimeve Europiane pranë Universitetit të Tiranës, të moduleve të veçantë, që kanë për qëllim zgjerimin e njohurive të studentëve në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Avokati i Popullit dhe Instituti i Studimeve Europiane, shprehën zotimin për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërgjegjësuese me tematika të ndryshme që lidhen me fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe në veçanti, rritjen e rolit të qytetarëve për pjesmarrjen në vendimarrjet e organeve të administratës publike në nivel qëndror dhe vendor.

Po ashtu, sipas marrëveshjes do të zhvillohet edhe kryerja e praktikave mësimore dhe intershipit të studentëve të Institutit të Studimeve Europiane pranë institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe vënia në dispozicion të studentëve për nevoja studimore dhe kërkimore të literaturës në Qëndrën e Dokumentacionit për të Drejtat e Njeriut pranë Avokatit të Popullit.