15 Shkurt 2021

Njoftim Për Shtyp Mbi Situatën Në Burgje


NJOFTIM PËR SHTYP MBI SITUATËN NË BURGJE

Në situatën e krijuar në të gjithë vendin për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, me porosi të Avokates së Popullit, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e sistemit peniteciar, në lidhje me garantimin dhe mbarëvajtjen e kushteve jetësore për të burgosurit që vuajnë dënimin në këto institucione.

Duke mbajtur në konsideratë faktin e bërë publik dhe në media se, në disa zona të vendit ka patur shkëputje dhe mungesa të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë të pijshëm, ekspertët e MKPT-së kanë kontaktuar me telefon gjatë ditëve të fundit me drejtuesit e IEVP-ve në Fier, Rrogozhinë, Zahari-Krujë, Durrës, Kosovë (Lushnje), Burrel, Kavajë, Berat, Elbasan, IEVP "Ali Demi", Shënkoll (Lezhë), Fushë-Krujë, Shkodër, IEVP 302 (Tiranë) dhe Peqin, të cilët na kanë informuar se situata ka qenë nën kontroll, duke vënë në funksion kapacitetet e brendshme që ato disponojnë.

Pavarësisht masave të marra, në disa institucione janë shfaqur problematika të ndërprerjes të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë të pijshëm, si më poshtë:

• IEVP Shënkoll-Lezhë, për shkak të një defekti në rrjetin elektrik të zonës, ka patur një ndërprerje të energjisë elektrike rreth orës 20.00, të datës 13.02.2021, dhe është rikthyer në orën 14.00, të datës 14.02.2021;

• IEVP Kosovë-Lushnje, ka patur një ndërprerje të energjisë elektrike prej orës 20:30, të datës 13.02.2021, deri në orën 12:30, datë 14.02.2021;

• IEVP Zahari-Krujë, ka patur një nderprerje të energjisë elektrike deri 3 orë në datë 14.02.2021;

Sipas informacioneve, situata në këto institucione është përballuar duke venë në funksion gjeneratorët, të cilët kanë bërë të mundur vetem sigurimin e ndriçimit në ambientet e regjimit të brendshëm dhe jo të ngrohjes në dhoma për të burgosurit. Por mungesa e sisteme efektive të ngrohjes në institucionet e sistemit penitenciar është një problem i evidentuar vazhdimisht nga Avokati i Popullit, gjatë inspektimeve të IEVP-ve.

Në këto kushte, autoritetet e sistemit peniteciar duhet të jenë të angazhuar për marrjen e masave paraprake në mbajtjen në gadishmëri të mjeteve alternative të sigurimit të energjisë elektrike, por njëkohësisht të garantojnë kushtet normale për ngrohje dhe jetesë.

Avokati i Popullit është në mbështetje të gjithë iniciativave që ndërmerren nga institucionet përgjegjëse për garantimin e të gjitha të drejtave të të burgosurve, sidomos në kushtet e emergjencës për shkak të kushteve atmosferike, si dhe risjell në vëmendje të burgosurve numrat e kontaktit për të komunikuar për çdo shqetësim me institucionin e Avokatit të Popullit: 0800-1111; 04/2380300/333 si dhe 068 90 34 648 (pa pagesë).