10 Dhjetor 2020

Avokati I Popullit Organizon Veprimtari Në Kuadrin E Ditës Ndërkombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut


AVOKATI I POPULLIT ORGANIZON VEPRIMTARI NË KUADRIN E DITËS NDËRKOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Avokati i Popullit, në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, organizon sot më 10 Dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, takimin online me temë: Të Drejtat e Grave janë të Drejta të Njeriut! Dëgjo. Beso. Mbështet gratë dhe vajzat!

Në takim prezantohen gjetjet e Raportit Alternativ të zbatimit të Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) të përgatitur nga Avokati i Popullit.

Ky proces është mbështetur nga UN Women në kuadër të programit të përbashkët të Qeverisë Shqiptare dhe organizatave të OKB-së “Ti japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri” financuar nga Qeveria Suedeze dhe zbatuar nga UNDP, UW Women dhe UNFPA, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë”.

Në takim, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca u shpreh:

“Ju falënderoj fillimisht për gatishmërinë dhe pjesëmarrjen në këto kohë të vështira, në të cilat është vënë në pikëpyetje jo vetëm kuadri i të drejtave tona njerëzore, por për shumëkënd, madje edhe vetë jeta.

Në kuadrin e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, ne si institucioni më i madh i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut, organizojmë megjithatë këtë takim, me besimin se sidoqoftë, edhe në periudha të errëta, ka diçka ajo çka e bën njerëzor njeriun, nuk duhet të asgjësohet.

Ajo çka e bën njeriun njerëzor është papranueshmëria e padrejtësisë. Dhe dhuna në përgjithësi, e ajo gjinore në veçanti, nuk është kurrgjë tjetër përpos një padrejtësi e thellë. Është padrejtësi sepse është mohim i një të drejte bazike, asaj për të mos qenë i dhunuar vetëm sepse nuk i përket një gjinie të caktuar.

Në veprën e saj kryesore “Banaliteti i së keqes”, Hannah Arendt, filozofja e mirënjohur gjermane, e cila studio mekanizmin e zbatimit të holokaustit, vëren se nuk ka degradim më të madh të njeriut e humbje të aftësisë së tij për të qenë njeri, sesa zhveshja e tij prej çdo ndjenje, përfshi këtu edhe vetë ndjenjat negative si urrejtja apo përbuzja ndaj dikujt tjetër. Është më pak njeri dikush që ushtron dhunë e deri shfarosje ndaj njerëzve në mënyrë mekanike, pa ndjerë asgjë, sesa dikush që e bën të njëjtën gjë me pasion e vetëdije, sepse ky I fundit është gjithsesi një qenie njerëzore edhe pse një qenie e urryer njerëzore.

Kur flasim për dhunë gjinore, duhet të kemi parasysh se në shumë raste ajo kryhet po ashtu mekanikisht, si një detyrë. Thjesht si një procedurë që diktohet nga dogma shoqërore se një grua ka lindur për t’u nënshtruar e nëse ajo lëviz prej kësaj rregulloreje, ekziston një ndëshkim përkatës për të. Në shoqërinë tonë jemi dëshmitarë, se shpesh ky ndëshkim, është vetë vdekja. Ky të nderuar miq, nuk është kurrgjë tjetër, veçse një e keqe në banalitetin e vet më ulëritës.

Në këto ditë të aktivizmit do të doja t’ju ftoja të gjithëve për një reflektim të madh, mbi vetë natyrën e dhunës gjinore. Do të doja që mënyra sesi ne I qasemi asaj të mos jetë thjesht emocionale dhe revoltuese, por kritike, studimore e analitike. Hapi I parë për zgjidhjen e një problemi, është sigurisht identifikimi I saktë I natyrës së tij, e mundësisht, i hyrjes brenda tij.

Ne do të prezantojmë këtu edhe gjetjet e Raportit Alternativ të zbatimit të Konventës për Eleminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj Grave, të cilat jam e sigurt se do të ofrojnë shumë material për diskutim.

Duke ju falënderuar sërish për pjesëmarrjen tuaj, ia lë fjalën pjesëmarrësve në vijim.