16 Nëntor 2020

Mekanizmi Kunder Tortures I Avokatit Te Popullit Kryen Inspektim Online


MEKANIZMI KUNDER TORTURES I AVOKATIT TE POPULLIT KRYEN INSPEKTIM ONLINE

Në datën 12 nëntor 2020, Mekanizmi Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues, në vijim Mekanizmi Kombëtar, bazuar në nenin 19/1 të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, dhe për shkak të situatës së Covid-19, kreu një inspektim/videokonferencë online nëpërmjet platformes Skype me Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës sipas Planit vjetor të Inspektimi të miratuar nga Avokati i Popullit.

Grupi inspektues i MKPT-së nëpërmjet kësaj videokonference kishte për qëllim monitorimin dhe vlerësimin e kushteve të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, cilësinë e trajtimit të të dënuarve brenda tij, si dhe njohjen nga ana e Avokatit të Popullit të stafit, strukturës dhe aspektve të përgjithshme të këtij institucioni si për mbarëvajtjen e punës në institucion ashtu edhe për kushtet aktuale të trajtimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve si dhe personave që mbahen në seksionin e veçantë për të dënuar dhe të paraburgosur me probleme të shëndetit mendor (SKV). Kjo është një eksperiencë e re, që po ndiqet dhe nga Mekanizmat homologë të rajonit dhe më gjerë, në këto kohë të vështira të shkaktuara nga pandemia Covid 19.

Në bashkëbisedimin me drejtorin e këtij institucioni, si dhe me drejtues të tjerë të tij, grupi inspektues kërkoi një informacion të përgjithshëm mbi gjëndjen e respektimit të të drejtave dhe trajtimin e të dënuarve/paraburgosurve nga ana e stafit dhe punonjësit e policisë të institucionit, si dhe mënyrën e trajtimit dhe adresimit të problematikave pranë organeve eprore, për zbatimin e rekomandimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit nga inspektimi i mëparshëm.

Në pamundësi për t’u takuar me të dënuarit dhe të paraburgosurit në institucion, grupi i punës i kërkoi drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës krijimin e kushteve për kryerjen e një viodeokonference me një grup përfaqësimi të të dënuarve dhe paraburgosurve.