30 Shtator 2020

Avokatja E Popullit Erinda Ballanca Adreson Takimin E Organizuar Nga Këshilli I Europës Në Lidhje Me Gjuhën E Urrejtjes


AVOKATJA E POPULLIT ERINDA BALLANCA ADRESON TAKIMIN E ORGANIZUAR NGA KËSHILLI I EUROPËS NË LIDHJE ME GJUHËN E URREJTJES

Në kuadrin e seminarit vjetor të Komisionit kundër racizmit dhe intolerancës të Këshillit të Europës, u mbajt sot takimi i posaçëm me temë “Roli i institucioneve të të drejtave të njeriut kundër gjuhës së urrejtjes”.

Në takimin e mbajtur online merrnin pjesë përfaqësues të rëndësishëm nga institucionet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga e gjithë Europa.

Në takim mbajti një fjalim të shkurtër edhe Avokatja e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca e cila ndër të tjera u shpreh:

“Mbrojtja dhe garantimi i lirisë së shprehjes është një nga tiparet kryesore të një shoqërie demokratike. Megjithatë, me rëndësi po kaq themelore është për shtetet aftësia që ato duhet të kenë për të parandaluar që përdorimi i lirisë për t’u shprehur të mos kthehet në një instrument të gjuhës së urrejtjes. Në këtë kuptim, liria e shprehjes nuk duhet të konsiderohet si një e drejtë absolute, por si një e drejtë e kufizueshme në masën kur gëzimi i saj cënon lirinë, dinjitetin, integritetin e të tjerëve.

Institucioni i Avokatit të Popullit, në rolin e institucionit kombëtar të të drejtave të njeriut në Shqipëri, në dritën edhe të situatës së të drejtave të njeriut në këtë vend vitet e fundit, i ka kushtuar rëndësi të veçantë çështjes së nevojës për të pasur një kufi mes lirisë për t’u shprehur dhe kufizmeve të saj, për të mos arritur në atë që njihet si gjuha e urrejtjes. Në këtë kuadër, në vitin 2019 institucioni ynë zhvilloi konferencën vjetore me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë me temë: “Liri pa urrejtje, Liria e shprehjes përballë të drejtave të tjera të njeriut”. Në këtë konferencë gjuha e urrejtjes u adresua nga dy këndvështrime: liria e shprehjes nga njëra anë dhe mbrojtja nga diskriminimi nga ana tjetër.

Angazhimi i autoriteteve publike, veçanërisht i Avokatit të Popullit si institucion kombëtar i të drejtave të njeriut është jetësor për monitorimin e situatës së të drejtave të njeriut, hetimin e praktikave abuzive dhe parandalimin e tyre, ndërgjegjësimin e autoriteteve për zbatimin e standarteve dhe detyrimeve në fushën e të drejtave të njeriut, si edhe kontributin në dialogun ndër-institucional dhe ligjërimin publik për të ndërgjegjësuar dhe kundërvepruar gjuhën e urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë.

Roli proaktiv i ndërthurur përdorimin dhe shterim e duhur të mjeteve ligjore në funksion të mandatit të Avokatit të Popullit dhe një bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, median, si dhe partnerët ndërkombëtarë është mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim.

Pikërisht në këtë kuadër, për të mundësuar angazhimin e aktorëve kryesorë të përfshirë në aspekte të ndryshme të parandalimit të gjuhës së urrejtjes për të koordinuar dhe bashkuar përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të advokuar si një front kundër këtij fenomeni, ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoritetit të Mediave Audiovizive, dhe Shoqatës “Këshilli Shqiptar i Medias” është nënshkruar marrëveshja e Bashkëpunimit për krijimin e “Aleancës kundër urrejtjes”.

Ne besojmë se gjuha e urrejtjes triumfon atëherë kur përballet me hezitim, prandaj kemi vendosur të mos hezitojmë përballë saj.

Shqipëria është një vend ku si mungesa e lirisë ashtu edhe urrejtja kanë lënë plagë të rënda përgjatë historisë së vjetër e të re. Por ndërsa tani jemi të lirë, gjuha e urrejtjes duket se ka krijuar një avantazh e është në revansh. Gjithsesi kjo histori e gjatë me urrejtjen, besojmë se na ka armatosur me aftësinë për të kuptuar se çfarë përgjigjeje meriton ajo.

Kemi sigurisht një mori dokumentesh e rregulloresh tek ne, që synojnë të adresojnë me efektivitet pikërisht gjuhën e urrejtjes, por nga dokumentet tek zbatimi i tyre praktik rruga është ende e gjatë.

E trishtueshme është të shikosh sesi ndërkohë që në sipërfaqe të gjithë e dënojnë gjuhën e urrejtjes, janë shpesh përfaqësues të lartë politikë në vend ata që e frymëzojnë, promovojnë e madje edhe e praktikojnë atë.

Jo rrallëherë dy institucionet kryesore të të drejtave të njeriut në Shqipëri, Avokati i Popullit që unë drejtoj dhe Zyra e Komisionerit kundër Diskriminimit e drejtuar nga zoti Gajda, janë përballur me sulme verbale e gjuhë urrejtjeje, pikërisht nga përfaqësues politikë. Zoti Gajda u sulmua publikisht nga një përfaqësues politik, vetëm sepse i kërkoi atij të fshijë një status facebooku në të cilin ai kishte përdorur gjuhë tallëse e urryese ndaj komunitetit LGBTI.

Unë personalisht kam marrë sulme e ofendime misogjine nga deputeti i Kuvendit Myslim Murrizi, gjithashtu sepse kam dënuar fjalorin e tij fyes e tallës ndaj personave të prekur nga sindroma doën e ndaj romëve.

Ashtu sikurse betejën kundër mungesës së lirisë e fituam duke e denoncuar këtë mungesë e duke iu përgjigjur me një hapje e liri të gjithanshme, po ashtu mendojmë se gjuha e urrejtjes duhet përballur me denoncimin e saj të pamëshirshëm e me ofrimin e një alternative dashurie, respekti, empatie e mirëkuptimi”.