1 Qershor 2020

Vështrimi Nga Fëmijët Është Vështrim Nga E Ardhmja


VËSHTRIMI NGA FËMIJËT ËSHTË VËSHTRIM NGA E ARDHMJA

Më 1 qershor, ditën ndërkombëtare të fëmijëve, shoqëria shqiptare duhet të ndjejë se është në borxh me gjeneratën e atyre që do të trashëgojnë vendin që kemi ndërtuar.

Fëmijët shqiptarë mund të kenë sot alternativa më të shumta konsumi mallrash, por realiteti që ata kanë në dispozicion është në të vërtetë më sfidues e më pak i humanizuar se ai i fëmijëve të së shkuarës.

Një fëmijë sot mund të gëzojë shansin të ketë shëndet të kuruar, arsim të denjë, të udhëtojë, të shijojë natyrën, të zhvillohet, të ushtrojë sporte e të ushqehet me cilësi, vetëm nëse familja do t’ia mundësojë këtë veçan fëmijëve të tjerë.

Nëse një familje në Shqipëri nuk i ka mjetet e duhura për kësi jetese, e kjo është tashmë përherë e më e shpeshtë, një fëmijë mund t’i njohë këta elementë thelbësorë për rritjen e tij, vetëm si spektator i të tjerëve.

Po ashtu fëmijët shqiptarë shohin sot thellimin e hendekut që ndan mënyrën sesi po rriten shumica e tyre me atë sesi po rriten fëmijët e një pakice të privilegjuar gjë që përbën sot dëshminë e pranisë së një distancimi permanent social që i është imponuar shoqërisë sonë, ku një pjesë “e shëndetshme” jeton thuajse në një planet të ndryshëm e të largët prej shumicës “mbartëse” të “sëmundjes” së varfërisë e pamjaftueshmërisë ekonomike.

Avokati i Popullit këtë 1 qershor gjen rastin që jo vetëm të urojë fëmijët shqiptarë për ditën e tyre ndërkombëtare, por edhe të bëjë thirrje për shtim të përpjekjeve të gjithanshme për eleminimin e pabarazisë dhe diskriminimit ekonomik, të cilat me praninë e tyre në shoqëri, cënojnë jetën e qindra mijëra fëmijëve dhe familjeve të tyre.

Kujdesi dhe vështrimi në drejtim të fëmijëve është kujdes dhe vështrim në drejtim të së ardhmes, andaj kurrë s’duhet të rreshtim së punuari që fëmijët e sotëm, të cilët janë aktualiteti i së nesërmes, të gëzojnë çdo mundësi për ta mbërritur të nesërmen me dinjitet.