31 Mars 2020

Avokati I Popullit Kërkon Marrjen E Masave Në Shërbim Të Shtetasve Gjatë Kufizimit Të Së Drejtës Për Lëvizje


AVOKATI I POPULLIT KËRKON MARRJEN E MASAVE NË SHËRBIM TË SHTETASVE GJATË KUFIZIMIT TË SË DREJTËS PËR LËVIZJE

Institucioni i Avokatit të Popullit u ka kërkuar me anë të një rekomandimi disa institucioneve marrjen e disa masave për të siguruar ardhjen në ndihmë shtetasve sa i përket kufizimit/ndalimit të së drejtës për lëvizje, gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Rekomandimi u është dërguar Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

​Shpallja e gjendjes së pandemisë Globale e ka vendosur vendin tonë në një situatë e cila ka shkaktuar ndërprerje e një pjese thelbesore të aktivitetit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik apo zhvillimin e tij për sa është e mundur nëpërmjet telepunës. Megjithatë, në funksion të ushtrimit të detyrës kushtetuese Avokati i Popullit është i vetëdijshëm se të drejtat e njeriut nuk mund të jenë dytësore edhe në një situatë pandemie.

​Ditët e fundit, janë bërë publike disa shqetësime që iu janë krijuar shtetasve shqiptarë që hyjnë në vendin tonë dhe veçanërisht atyre që po kthehen nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut në Shqipëri, nëpërmjet Pikave të Kalimit Kufitar Kakavijë, Kapshticë dhe Qafë Thanë.

Shqetësimi i qytetarëve shqiptarë që po kthehen nga jashtë vendit qëndron në faktin se ata pasi hyjnë në territorin e vendit tonë, e iu nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore për infektimin nga COVID-19 dhe pasi u këshillohet që të qëndrojnë të vetëkarantinuar për 14 ditë, mbeten në rrugë sepse nuk ka mjete transporti për të lëvizur drejt vendbanimeve përkatëse. 

Raste të tilla janë bërë publike në media në datat 22.03.2020, 23.03.2020 dhe 24.03.2020 etj. 

​Avokati i Popullit vlerëson se kjo mënyrë e të vepruarit duke i lënë këta shtesas pa asnjë mundësi lëvizjeje, nuk i shërben aspak qëllimit të vendosjes së masave nga autoritetet shtetërore ditët e fundit. Perveç të tjerave, kjo kategori e personave të kthyer nga jashtë vendit mund të jetë potencial si mbartës të infeksionit të COVID-19 dhe lënia e tyre jashtë kontrollit të strukturave shtetërore, mund të sjellë si pasojë përhapjen e këtij infeksioni.

Në vend të futjes në karantinim të detyruar të atyre që do të rezultonin pozitivë pas ekzaminimeve mjekësore të bëra në kufi apo të futjes në vetëkarantinim për 14 ditë të të tjerëve që do të rezultonin negativ, ata lihen pa asnjë lloj kontrolli që sipas akteve normative te miratuara për këtë qëllim, është i domosdoshëm për këtë periudhë kohore që po kalojmë.​

Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon marrjen e masave të nevojshme për lejimin apo ofrimin e shërbimit të transportit në të gjitha pikat e kalimit kufitar, veçanërisht me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të bërë të mundur lëvizjen dhe shpërndarjen në vendbanimet përkatëse, të shtetasve shqiptarë të ardhur nga këto vende përgjatë kësaj periudhe kohore.